Marrëdhënia mes Benzemasë dhe trajneri të Kombëtares franceze, Didier Deshamp, ka qenë e cunguar prej kohësh. Pas skandalit të përfshirë mes Benzema dhe Valbuenës, kreu i pankinës trikolore mori vendimin për të larguar nga skuadra sulmuesin e Realit të Madridit. Ky i fundit do të deklaronte se gjithçka ishte e lidhur me racizmin, çka solli edhe një dhunë psikologjike në drejtim të Deshamp. Shtëpia e tij u mbulua me grafiti ku akuzohej për racizëm dhe një gjë të tillë trajneri i Francës u zotua se nuk do e harronte kurrë.
Por kur vetëm një muaj na ndan nga fillimi i kampionatit europian, opinioni sportiv ka besuar se një ndryshim mund të vijë në marrëdhënien mes palëve. Benzema është kthyer në liderin e Real Madridit dhe forma e jashtëzakonshme e tij këtë sezon ka ngjallur kuriozitetin nëse do të jetë surpriza e listës së publikuar nga Deshamp. Megjithatë është vetë 52-vjeçari që i mbyll derën përfundimisht sulmuesit francez.
“Unë nuk jam Santa Klausi, nuk jam këtu për të njoftuar surpriza. Po e rregulloj listën pak nga pak, kam lojtarë të cilët, si Korentin Toliso i Mynihut, janë ende duke u rikuperuar dhe unë ende nuk kam të gjithë informacionin për gjendjen e tyre. Do të shpall listën time të lojtarëve më 18 maj, por do të ketë edhe ndeshje pas kësaj“, është shprehur Didier Deshamp për “Kicker“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/