“Është i gabuar kompeticioni mes Shqipërisë dhe Kosovës“, Tare flet edhe për djalin: Shpresoj mos ti ngjajë babit

Igli Tare ka dhënë një intervistë për emisionin “Dueli Sportiv” në “RTV Dukagjini”, ku ka folur mbi Muriqin, lojtarët shqiptarë te Lacio dhe sigurisht për dy përfaqësueset tona. Drejtori sportiv i klubit të njohur italian siguron të gjithë se bardhekaltërit kanë ende besim te Vedat Muriqi, pavarësisht se paraqitjet e tij këtë sezon kanë qenë larg pritshmërive. Ndërkohë sa i përket Kombëtareve, Tare thekson se është i gabuar kompeticioni mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Cilin lojtar shqiptar e kosideroj më të rëndëishmin te Lacio? Nuk është korrekte një dallim nga ata. Gjithë se kush ka pasur rëndësinë e vetë. Por besoj se fakti që kanë pasur mundësinë në radhë të parë të luajnë në kampionatin italian, në radhë të dytë të luajnë në një skuadër që ka ambicie të mëdha, në radhë të tretë kur dikush  prej tyre ka pasur edhe mnudësinë të fitojë trofe, është një eksperiencë shumë e madhe.

Muriqi? Muriqi po kalon një periudhë tranzitore. Ai e ndjeu, e njohu dhe e shprehu atë ndryshimin e madh që ka nga futbolli turk me futbollin italian, mbi të gjitha me intesitetin, shpejtësinë, përgatitjen taktike. Ndoshta ky vit i parë për të, duke pasur parasysh që ka pasur dy dëmtime, mosbërjen e fazës përgatitore dhe praninë e virusit Covid që e kanë ndikuar në mënyrë negative, e kanë vështirësuar pak integritetin e tij në skuadër. Por gëzon respektin e të gjithë skuadrës, stafit teknik, dhe kjo është një gjë që për të ardhmen më bën të shpresoj shumë, sepse është një lojtar që mund të japi shumë për futbollin italian, por edhe për Kombëtaren e Kosovës.

Cila ka më shumë shanse, Shqipëria apo Kosova? Është diçka e gabuar që bëhet një lloj kompeticioni ndërmjet dy Kombëtareve. Janë dy gjëra që kanë një format të ndryshëm, sepse Kombëtarja e Shqipërisë tashmë ekziston prej shumë kohësh, ndërsa Kombëtarja e Kosovës është e re. Kanë përbërje të ndryshme dhe skuadra e Shqipërisë është një Kombëtare me lojtarë me më tepër eksperiencë, sepse luajnë sidomos në kampionatin italian. Kombëtarja e Kosovës ndoshta ka një perspektivë më të mirë, por kemi një gabim që bëhet edhe në Shqipëri. Ka shumë disnivel nga një rezultat negativ në një rezultat pozitiv në analizën e rezultateve. Kjo është diçka që nuk e ndihmon futbollin e Kosovës.

Djali? Unë shpresoj që mos ti ngjajë babit. Të bëjë atë jetën e tij, eksperiencën e tij dhe ndoshta të jetë edhe më i suksesshëm se babai. Por është pak e vështirë për të, sepse ka një emër që ka një peshë të madhe dhe ndoshta e pengon pak. Por ia uroj me gjithë zemër që të gjejë rrugën e tij dhe ndoshta më me sukses se unë”, ka deklaruar Igli Tare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *