Në Gjermani luan një futbollist 13-vjeçar që quhet Jusufa Mukoko. Me siguri nuk e njihni, por në Gjermani konsiderohet shpresa e madhe e futbollit gjerman, sepse bëhet fjalë për një fenomen, një lojtar anormal, për studim shkencor.
Prej pak vitesh Mukoko po mahnit në ekipet e moshave të Dortmundit dhe është kthyer në një problem luksi, sepse nuk mund të luajë më me moshatarët e vet, aq i mirë dhe i fortë është.
Bëhet fjalë për një gjigant për moshën e tij, një lojtar me cilësi të rëndësishme, por mbi të gjithë shumë i fortë, aq sa të shumtë janë ata që dyshojnë se djaloshi i lindur në Kamerun nuk është vërtet 13 vjeç.
Këtë sezon Mukoko luan për Dortmundin U17 dhe në 11 ndeshje kampionati ka shënuar 20 gola, duke treguar se është tepër i fortë edhe për 17-vjeçarët. Barcelona po e vëzhgon dhe po mundohet të gjejë ndonjë spirale për ta rrëmbyer, por Dortmundi nuk është klub që i humbet kaq lehtë të rinjtë e talentuar.
Ndërkaq, Gjermania U17 nuk e grumbulloi sulmuesin për një turne miqësor në Dublin. Një zgjedhje e detyruar, për shkak se sa herë zbret në fushë Mukoko, gjithçka kthehet në një cirk mediatik dhe vërshojnë gazetar e tifozë për të parë fenomenin e ri.
Autor i 40 golave në 28 ndeshjeve sezonin e shkuar, Mukoko do të lejohet të rritet gradualisht te Dortmundi, ndërsa familja dhe përfaqësuesi i tij ligjor kanë kërkuar që të ekspozohet sa më pak, për të mos u djegur si futbollist, pasi sado i mirë të jetë, ka pasur plot raste kur futbollistë adoleshentë dukeshin Mesi e Ronaldo, por sapo bëheshin profesionistë merrnin fund, të verbuar nga paraja dhe fama.