Kush është lojtari i momentit në përfaqësuese, njeriu që i fitoi zemrën Panuçit, duke u aktivizuar titullar që në premierën e tij. Karriera, jeta jashtë fushe dhe një e ardhme e sigurt
Kur dy vite më parë Eros Grezda u paraqit në gjendjen civile në Tiranë për të marrë pasaportën shqiptare, punonjësit filluan të qeshnin. Ky është një emër i ndaluar. Është në listën e emrave që tanimë nuk mund të vihen. Eros, si Eros Ramaxoti. Shumë shpejt do t’i mbani mend dhe mbiemrin. Eros, si Eros Grezda. Meqenëse jemi te Ramaxoti, idhulli i prindërve të tij, nuk ka qenë vetëm këngëtar, por ka qenë edhe futbollist. Më shumë se 200 ndeshje me skuadrën kombëtare të këngëtarëve dhe 113 gola të shënuar.
Erosi i Shqipërisë ka lindur në Gjakovë në vitin 1995. Jeta e tij ka qenë e mbushur me udhëtime dhe me përvoja të rëndësishme. Ai ka luajtur fillimisht në Prishtinë, më pas në Maqedoni me Rabotniçkin dhe më pas në Slloveni me Aluminij. I majtë ose i djathtë nuk ka rëndësi, ai është një lojtar tipik krahu, nga ata që në gjuhën e futbollit sot quhen winger. Kur ishte 18 vjeç i mësuan diçka. Nëse dëshiron të bësh një futbollist i madh, duhet të luash në Kroaci. Kjo është toka e talenteve, që prej këndej shkojnë diku në Perëndim, fitojnë karrierë dhe shumë para. Në orbitën e Dinamo Zagrebit, që hë për hë e aktivizon me Lokomotivën, ekipin satelit. Në dy sezone shënon 14 gola dhe është pa diskutim një ndër më të mirët. Gjatë kësaj kohe 3 kombëtare duan shërbimet e tij. Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Grezda nuk ka asnjë dyshim. Nëse je shqiptar, duhet të luash për Shqipërinë. Shpejt e shpejt një pasaportë, direkt me 21-vjeçarët.
Në Kroaci nga futbolli e sidomos nga talentet kuptojnë shumë. Osijek vihet në gjurmët e tij dhe dilema ka qenë e madhe. Dinamo apo Osijek. T’i themi gjërat si janë, Dinamo është një emër i madh, por atje luan ose nuk luan, nuk i dihet. Duhet të ndjekësh logjikën dhe jo zemrën. Osijek është një skuadër me investime të mëdha, një realitet i ri në futbollin nga ku lojtarët blihen për 5 lekë dhe shiten për miliona. Euro. Ironia e fatit, këtë sezon ka shënuar 3 gola dhe 2 prej tyre i ka shënuar ndaj Rijekës dhe Dinamo së Zagrebit, kampiones në fuqi të Kroaci dhe kampiones ‘jet e mot’ në këtë vend.
Në Kombëtare De Biazi i dha grumbullimet e para, ndërsa Panuci sapo zbritën në Rinas i tha vetes: revolucioni duhet të nisë nga ky lojtar. 22 vjeç, në formë të mirë dhe e ardhme e sigurt, a ka mundësi ta lësh jashtë formacionit një si ky? Menjëherë një fanellë titullari me Lihtenshtejnin, helmimi nga ushqimi që nuk e lejoi të luajë në Strumicë kundër Maqedonisë dhe më pas titullar ndaj Spanjës dhe Italisë. Nëse nuk shënoi as ndaj njërës e as ndaj tjetrës, duhet të jetë pak dhe çështje fati. Fanelën e fitoi. Madje dhe atë të Bonuçit, i cili pas ndeshjes në Shkodër shkëmbeu fanellën me yllin e ri të Shqipërisë.
Në Turqi luajti një ndeshje të madhe. Qoftë dhe për atë gol të 3-1, ishte praktikisht goli që na dha sigurinë se megjithëse me 10 vetë mund ta fitonim atë ndeshje luksi në Antalia. Më pas, përqafimi me Panuëin, një baba i dytë për të, sepse realisht nëse ka pasur ndokush që ka besuar dhe ka vënë veton që ai të luajë titullar, është pikërisht numri 1 i pankinës. Me Panuçin nuk bëhet shaka. Grezda e di mirë se nuk duhet ta zhgënjejë, sidomos jashtë fushe. Nëse Panuçi brenda saj toleron gabimet, nëpër grumbullime duhet të jesh ai që do, asnjëherë duke lëshuar fjalë vend e pavend dhe gjithnjë i përqendruar ndaj rregullave të italianit.
Meqenëse jemi jashtë fushe, një hulumtim i vogël tregon se është i riu tipik. Tifoz i çmendur i Real Madridit dhe Ronaldos, dëgjon muzikë spanjolle dhe i pëlqen të kërcejë Reggaeton. Jetës së natës nuk i thotë ‘jo’, ndërkohë që në rrjetet sociale është gjithnjë aktiv. Gazetat i lexon përditë dhe në celular ka foto të çdo shkrimi që flitet për të. Elita Rudi, e afërmja e tij, ka më shumë ndjekës në Instagram dh të dy grinden miqësisht se kush është më i famshëm për momentin. Në makinën e tij Fiat ka të shënuar inicialet E.G., ndërkohë që golin e parë kuqezi ja dedikoi të atit, njeriut të tij më të afërm. Miku më i madh në ekip kombëtar është Roshi, ndërkohë që jashtë fushe konsumon kohë me Rrahmanin dhe me Çekiçin, të dy miq që nga koha kur luante me Lokomotiv Zagrebin.
2017 do mbahet mend gjatë. Asist kundër PSV Eindhovenit në Europa Ligë, golat kundër Dinamos dhe Rijekës dhe goli i famshëm ndaj Hajduk Splitit. Osijeku dhe Hajduku janë një derbi më vete. Hajduku shënoi i pari në minutën e 50-të, ndërkohë që pak më vonë Osijeku barazoi rezultatin. Në minutën e tretë shtesë Grezda shënoi një eurogol që e ngriti veten dhe qytetin peshë.
Në gjendjen civile në Tiranë, sidomos pas mbrëmjes së hënës, me siguri punonjësit civilë kanë shkuar të martën dhe i kanë thënë njëri-tjetrit: “E mbani mend Erosin, atë djalin simpatik me kufje që erdhi mori pasaportën, pavarësisht se emri i tij është i ndaluar? Ai është ylli i ri i Kombëtares”. Grezda ndoshta nuk këndon si Ramaxoti, por në fushë mundohet të vallëzojë njësoj si një spanjoll. Në Kroaci kanë fërkuar duart. Thonë që vlen 5 milionë euro, që tani!
Gjergji Stefa
Se c’ja fusni kot se merr vesh njeri. Grezda nuk luajti keq por nuk ishte lojtari i ndeshjes