Për specialistin e futbollit Ermal Tahiri, Kategoria Superiore e këtij sezoni ka disa ndryshime, të cilat ai së pari i shikon tek emrat e trajnerëve të rinj. Por ai mendon se do të jenë dy faza shumë të vështira, e këtu i kërkon presidentëve të klubeve dhe FSHF-së që të të gjejnë forma që ti afrojnë ata në stadium.
“Kjo është një nga mangësitë më thelbësore që duhet rregulluar për gjysmën tjetër të këtij sezoni. Do të jenë dy faza të vështira dhe në drejtim të organizimit duhet të ketë më shumë korrektesë, jo vetëm ndëshkime”, kështu theksoi mes të tjerave Ermal Tahiri në intervistën e tij për SportEkspres.com.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Ky mot i ftohtë dhe me temperature të ulëta, sa ndikon në këto pushime që janë duke bërë skuadrat e Superiores?
-Unë mendoj se të gjitha ekipet e Kategorisë Superiore i kanë në programet e tyre edhe të tilla pauza pa aktivitet zyrtar. Duke qenë se janë mbyllur dy fazat e para, kjo hapësirë dyjavore pa stërvitje dhe ndeshje, fizikisht është e përballueshme për futbollistët.
Në krahasim me sezonin e kaluar, ju ku i shikoni ndryshimet e Superiores në dy fazat e para të këtij sezoni?
-Po, unë shikoj se ka ndryshime dhe së pari tre trajnerët e rinj: Gega te Partizani, Shkëmbi te Teuta dhe Shehi te Skënderbeu. Ndryshimi tjetër është se skuadra e Teutës ka në dispozicion lojtarë cilësorë që po e rritin nivelin gradualisht.
Duke ju referuar renditjes, si e përshkruani situatën e skuadrave?
-Nëse do të flasim për kreun, mendoj se Partizani, Kukësi dhe Teuta janë skuadra më të konsoliduara dhe janë me meritë aty ku ndodhen. Ndërsa në fundin e renditjes janë katër skuadra që si në menaxhim ashtu edhe në drejtim kanë treguar mangësi.
Mendoni se në dy fazat e tjera do të kemi edhe ato fenomenet e aleancave?
-Këtë nuk e parashikoj, por edhe nuk e dëshiroj. Për mua rëndësi ka që të luhet futboll i pastër. Sepse kjo ka munguar, duke qenë se skuadrat më shumë nisen nga interesa rezultati, duke qenë se kanë edhe pak kualitete për lojën e mirë.
Në dy fazat e para kishte problem me dhunën dhe dënimin e tifozerisë, çfarë mendoni se duhet ndryshuar me “Lojtarin e 12”-të?
-Futbolli luhet për tifozët dhe të gjithë presidentët e klubeve së bashku me FSHF-në duhet të gjejnë forma që t’i afrojnë ata në stadium. Kjo është një nga mangësitë më thelbësore që duhet rregulluar për gjysmën tjetër të këtij sezoni. Do të jenë dy faza të vështira.
Kanë qenë arbitrat protagonistë në rezultatet e ndeshjeve në dy fazat e para?
-Arbitrat gjithmonë janë fajësuar për gjykimet e tyre, por në këtë sezon unë i shikoj më ndryshe nga i kaluari. Gjithsesi, ata duhet të jenë më të vendosur dhe të sigurt në vendimet e tyre. Kështu rriten ata, por edhe cilësia e gjykimit të tyre.
Muaji janar është i ngarkuar për skuadrat, çfarë mendoni se do të zgjidhin trajnerët në këto katër javë?
-Sportivisht, unë muajin janar e quaj si muajin më të nxehtë, sepse është një hapësirë e shkurtër kohe ku duhen bërë përgatitje, merkato dhe ndeshje miqësore. Një program i detajuar nga trajnerët do t’ua bëjë më të lehtë punën në këtë periudhë.
Si do të ndikojë nisja e pjesës së dytë të sezonit me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë?
-Kjo nisje me ndeshjet e Kupës u bën shumë mirë skuadrave. Së pari për të provuar lojtarë që nuk kanë shumë minuta nga dy fazat e para, më pas për të parë ndonjë përforcim të ri, e në fund, për ta konsoliduar grupin për pjesën e mbetur të sezonit.