Erjon Bogdani ka folur gjerë e gjatë. Ish-sulmuesi i kombëtares, i cili tani ka nisur edhe karrierën si trajner, është kthyer vite pas në kohë. Mes të tjerash, edhe periudha kur ishte futbollist në Serie A ka qenë diskutimi në një intervistë që “Bogu” ka dhënë në emisionin “Adrenalina” në “InTV”.
Bogdani flet për largimin e tij nga Shqipëria U19, për situatën aktuale në kombëtare, si dhe për kualifikimin në Europianin “Francë 2016”. Në fund është ngacmuar edhe për rekordin që ka si shënuesi më i mirë i kombëtares.
PUNA ME U19 – “Ishte një eksperiencë pozitive. Dua të falënderoj presidentin Armando Duka dhe federatën për mbështetjen. Jam i sigurt që këto tre vite e gjysmë si pjesë e stafit të De Biazit dhe më pas si trajner i U-19, do të më shërbej shumë në të ardhmen. Rezultatet? Në punën me ekipet e moshave, rezultati nuk është primar. Kemi luajtur mirë kundër ekipe shumë të forta, me pak fat nëse disa episode do ishin në favorin tonë, dhe rezultatet do ishin më ndryshe”.
“A ka talente Shqipëria? Fjala talent është një fjalë shumë e madhe. Një talent nuk luan me ekipet e moshave, por ai bën diferencën edhe në ekipet e para. Vështirë se mund të thuash që kemi talente, pasi nuk kemi lojtarë 19-vjeçarë që luajnë me ekipet e para”.
“Largimi? Ishte një ndarje me konsensus midis të dyja palëve, sepse dhe unë dua të vazhdoj karrierën si trajner, duke stërvitur ditë pas dite një skuadër. E ardhmja? Tani do të kthehem në Itali. Kam folur me menaxherët për të kontaktuar ndonjë skuadër, pasi më pëlqen të stërvit dhe të bëj trajnerin. Shpresoj të gjej një skuadër që të jap eksperiencën time e të punoj sa më mirë”.
KARRIERA SI FUTBOLLIST – “Me të gjitha ekipet ku kam luajtur në Itali ia kam kaluar mirë. Do të veçoja Sienën dhe Çezenën, ku pavarësisht ndeshjeve ose golave jam pritur shumë mirë nga qyteti”.
“Kulmi? Kulmi i karrierës sime ka qenë te Siena, ku kam bërë 11 gola në Serie A. Por kulmi i një futbollisti është kur luan me ekipin kombëtar dhe shënon shumë gola. Këto gjëra i kam arritur dhe jam shumë krenar për këtë”.
“Momentet e vështira? Çdo futbollist kalon momente të vështira. Eksperienca negative kam pasur prej dëmtimeve. U bëj thirrje lojtarëve që në rast dëmtimesh të punojnë sa më fort për t’u rikuperuar, pasi futbolli është një sport i bukur që do shumë sakrificë”.
“Golat më vendimtarë? Dy golat që kam bërë me ekipin kombëtar në transfertën kundër Ukrainës, ndeshje që përfundoi më rezultatin 2-2. Kanë qenë dy gola shumë të bukur që më kanë emocionuar”.
“Kundërshtari më i fortë? E kam të vështirë të them një emër, por do veçoja mbrojtës si Stam, Maldini, Samuel, Kanavaro, apo Turam. Mbrojtës shumë të fortë, që kam hasur shumë vështirësi për t’i kaluar, por edhe u kam shënuar ndonjëherë”.
KOMBËTARJA – “Patjetër do kisha dashur të luaja ndaj Serbisë. E kam ndjekur nga televizori dhe ishte shumë emocionuese. Ka qenë një ndeshje shumë e bukur. Nëse ndeshja do të vazhdonte të luhej, për mendimin tim do ta fitonim”.
“Çfarë kishte skuadra e De Biazit që nuk e kishit ju për të shkuar në Europian ? Unë kam luajtur pak me De Biazin, ndërsa më pas kam qenë pjesë e stafit. Shumë gjëra u mblodhën bashkë për atë sukses. Trepikëshi ndaj Serbisë që morëm në tavolinë na ndihmoi shumë nga ana e moralit. Çunat punuan fort edhe në barazimin 0 – 0 në Danimarkë. Pjesëmarrja në Europian do të ngelet gjithmonë në zemrën time”.
“Kombëtarja tani? E kam të vështirë të flas, pasi tani e shoh skuadrën vetëm nga televizori ose stadiumi. Panuçit i është dashur të ndryshojë shumë, pasi kemi të bëjmë dhe me një ndërrim brezash”.
“Lojtarë me të ardhme? E kam të vështirë të them se kush do të ketë një të ardhme të madhe. Do veçoja Asanin e Partizanit dhe Trashin. Janë këto dy lojtarë që kanë spikatur.”
“Rekordi i shënuesit më të mirë? Kam raporte shumë të mira me Sadikun, Balajn dhe Cikalleshin. Kemi luajtur bashkë, por dhe i kam stërvitur në rolin e zëvendës-trajnerit. Më vjen mirë që këta të tre thyejnë rekordin. Sadiku është më afër. Rekordet janë bërë për t’u thyer. Shpresoj që rekordi të thyhet, pasi do të kemi një sulmues që do të shënojë dhe shpresoj që ata gola të na çojnë në një europian ose botëror”.