Nga Klaudio Ndreca
Lokomotiva e Zagrebit nuk ka ndërmend që të pakësojë “bandën e shqiptarëve” në numër, por do të ketë vetëm ndërrim të fytyrave. Pra nëse Uzuni dhe Kastrati bën një hap më të madh në karrierë, Besnik Prenga i jep një dorë të tjerëve lojtarë shqiptarë që ta përdorin këtë trampolinë për karrierën e tyre.
Së fundmi ishte Sherif Kallaku që u zyrtarizua te ekipi kroat, duke u marrë për 150 mijë euro nga Teuta. Besnik Prenga është shprehur për mediat kroate se për këtë mesfushor kanë ofruar edhe më shumë para në Durrës. “Kallaku duhej të ishte një përforcim i menjëhershëm për Teutën. Ne arritëm që ta sillnim këtu, megjithëse për të kishte oferta më të mëdha sesa e jona”, u shpreh Prenga.
Lojtari tjetër që pritet t’i bashkohet Lokomotivës është 19-vjeçari Dzemal Ibishi. Sulmuesi që është pjesë e Vardarit do të vijë si një lojtar i lirë. Ai ka zhvilluar 13 ndeshje në sezonin e fundit dhe ka shënuar dy gola, ndërsa kampionati në Maqedoninë e Veriut u mbyll për shkakun e Koronavirusit. /Sport Ekspres/