Shuhen shpresat e Interit për të realizuar goditjen e madhe të merkatos së verës. Edhe pse tifozët ëndërrojnë të shohin Luka Modriç me fanellën zikaltër, faktit që koha nuk premton pasi merkato në Serinë A do të mbyllet përpara startit të kampionatit, i shtohet edhe qëndrimi i Emilio Butragenjos.
Ish-sulmuesi, tashmë në rolin e drejtuesit te kampionët e Europës, i dha një mesazh të qartë Interit. “Nuk ekziston asnjë çështje Modriç, lojtari është i lumtur të vazhdojë rrugëtimin e tij me ne”, tha Butragenjo, rreth fantazistit, që e nisi finalen e Superkupës së Europës nga stoli, por u aktivizua në pjesën e dytë të lojës.
Kjo e enjte është dita e fundit për të tentuar të rihapen negociatat, të cilat tashmë duket se janë shndërruar thjesht në “ëndrrën e një nate vere”. Nëse Interi dëshiron të blejë me çdo kusht Modriç, duhet të bëjë tentativën finale deri të premten, kur mbyllet edhe afati i transferimeve në futbollin italian.
Zikaltërit besojnë ende se kapiteni i Kroacisë dhe menaxherët e tij vazhdojnë të kërkojnë largimin nga Reali i Madridit, por koha e pakët në dispozicion mund të mos mjaftojë. Me fjalë të tjera, objektivi më i madh i zikaltërve në merkato duket shumë larg.