Tre gola të shënuar në pesë ndeshje. Tashmë nuk është më një rastësi: mund të jetë vetëm 18 vjeç, por Emil Smith-Roui është lojtari i kupave për Arsenalin. Në momentin kur thirret për të dhënë kontributin, zhvillon paraqitje madhështore dhe shënon rregullisht, njësoj si Aubamejang dhe Uellbek dhe është golashënuesi më i mirë i skuadrës në Europa League.
Një tjetër ndeshje dhe një tjetër gol, këtë herë në portën e ukrainasve të Vorskla Poltavës. Statistika të pabesueshme, për një djalosh kaq të ri në moshë: është i vetmi lojtar i datëlindjes 2000 që ka shënuar një gol me fanellën e Arsenalit, e megjithatë ende nuk ka debutuar në Premier Ligë. Prej përgatitjeve të verës, trajneri Unai Emeri është magjepsur nga kualiteti i lojtarit, por ende nuk ëhstë bindur që ta aktivizojë edhe në kampionat.
Smith-Roui stërvitet prej javësh mes yjeve të “topçinjve”, aty ku ka mahnitur edhe disa nga lojtarët me emër, të cilët për nga talenti e krahasojnë me De Bryjn… dhe jo vetëm prej ngjashmërisë me ngjyrën e flokëve. Për të luajtur me Arsenalin, Emili ka ndryshuar plotësisht anën. Duke qenë se jeton në jug të Londrës, vendi i tij do të ishte te Çelsi, por një provë e cila nuk shkoi si duhej në moshë fare të re, ka bërë që brenda tij të kërkojë revanshin te rivalët e kryeqytetit anglez.
Sot për sot, Smith-Roui është “djaloshi” i kupave: luan dhe shënon në Europa League dhe në Kupën e Ligës, aktivitetet e vetme në të cilat është aktivizuar. Një numër 10 i së ardhmes, që deri më tani ka arritur pikën më të lartë në nivel teknik, por që duket se nuk ka ndërmend të ndalojë. Një udhëtim, gjatë të cilit tashmë mungon vetëm debutimi në Premier Ligë.