Vllaznia filloi nga puna ditën e djeshme, pasi trajneri Hasan Lika, mori drejtimin e ekipit. Në seancën e djeshme stërvitore ishin të pranishëm 17 lojtarë. Disa prej tyre, emra krejtësisht të rinj, ndërsa pjesa kryesore e titullarëve janë larguar drejt skuadrave të tjera.
Nëse i hedh një sy të shpejtë listës së Vllaznisë do të shohësh dhe disa emra të panjohur. Në seancën e parë u stërvitën 3 portierët Alen Sherri, Erind Selimaj dhe Zamir Vjerdha. Të gjithë do të luftojnë për pozicionin e titullarit.
Nga ekipi i vjetshëm ra në sy prezenca e Olsi Gocajt, Erdenis Gurishtes, Antonio Markut, Samet Ruqit dhe Denis Pjeshkës (i dëmtuar) në mbrojtje. Në mesfusha ra në sy prezenca e Florind Bardullës, Gilman Likës, Ardit Krymit, Alsid Tafilit djhe Arsen Hajdarit.
Në sulm ka shumë mangësi, pasi momentalisht është vetëm Belajd Pusi në dispozicion, asnjë sulmues tjetër për ekipin shkodran. Ndërkohë në listën e Vllaznisë bien në sy emra të rinj lojtarësh si Denis Dyca. Ky i fundit emër i dëgjuar në Kategorinë e Parë, pasi ka eksperiencë. Ra në sy afrimi me ekipin e parë i Armenis Kukajt (mbrojtës), Mario Kolës (mbrojtës) dhe Zabit Mehmedajt. Të gjithë kanë luajtur me ekipin e dytë të shkodranëve.
Ditën e djeshme me ekipin nuk u stërvit Xhevahir Sukaj. Sulmuesi nuk mori pjesë në seancën stërvitore të parë dhe nuk dihet nëse do të jetë pjesë e skuadrës kuqeblu për sezonin e ri.