Shqipëria U-19 ka zhvilluar sot në stadiumin “Kukës Arena” miqësoren e parë ndaj Kosovës U-19, nga dy të programuara këtë javë. Një ndeshje e bukur e me shumë raste, që përfundoi me fitoren e kuqezinjve me rezultatin 1-0 falë golit të Adi Kurtit. Por rezultati ishte kaq i parëndësishëm në këtë vëllazërore përpara një situate emocionuese që ndodhi para nisjes së takimit.
Në stadium nuk po lëshohej himni kombëtar për shkak të një problemi dhe më pas ishin vetë lojtarët që e morën situatën në dorë. Futbollistët e Shqipërisë U-19 dhe të Kosovës U-19 nisën të këndonin njëzëri himnin kombëtar, duke e zhvlerësuar problemin dhe në fakt duke i dhënë më shumë hijeshi kësaj ndeshje. /Sport Ekspres/