Nga Klaudio Ndreca
Futbolli është vetëm lojë? Sa gabim! Ky sport shkon përtej 22 burrave që vrapojnë pas topit. Është energji dhe mënyrë jetese, emocioni dhe adrenalina që të përshkron trupin dhe që askush tjetër nuk mund ta jap. Tifozët shqiptarë e dinë më së miri këtë pjesë sidomos pas arritjes në Europianin e Francës. Lumturia pas golit të Sadikut ndaj Rumanisë nuk e ka një përjetim të dytë. Ndoshta shumëkush nga ne mund të harrojë dëshpërime serioze të së shkuarës në jetën tonë, por kurrsesi rastin e humbur të Shkëlzen Gashit ndaj Zvicrës. Ende pyesim: “Si e humbi?”. Kaq për të kuptuar se çfarë përfaqëson ky sport. Tashmë na duhet të kalojmë në pjesën tjetër dhe të flasim për ekipin shqiptar më të veçantë që është hapur dhe u vendosur në kryeqendër të vëmendjes së medias së huaj, “DW”.
Julian Cela do të humbiste të dy këmbët gjashtë vite më parë për shkakun e aksidentit. I hoqi mundësinë për të qenë si të gjithë të tjerët, por jo gëzimin për të jetuar. Të gjithë energjinë e mbartur në vete Juliani e përdorur për t’u ngritur mbi tragjedinë personale. Një klub futbolli është krijuar për dy vajza dhe 12 djem që kanë pasur probleme të njëjta të së shkuarës, duke humbur gjymtyrët e tyre.
Lumturia në sytë e tyre, adrenalina e përshkruar pas një goli të shënuar dhe pasioni me të cilin luajnë futboll është po i njëjti me futbollin profesional që zhvillohet në Shqipëri. Nga ana tjetër kjo histori që kërkon edhe përkrahje më të madhe, shërben edhe si një shembull për të kuptuar se e pamundura është asgjë dhe të gjithë duhet të përpiqen për të ndërtuar diçka më të mirë dhe për ta vendosur energjinë e tyre në zbatim të së mirës së përgjithshme. Ankesat dhe justifikimet? Janë për të dobëtit… /Sport Ekspres/