Emocione, tension, ankth e ofendime, një pasdite e çmendur futbolli në Berat

Nga: Edi Spahiu

Një ndeshje shumë emocionuese është zhvilluar në Berat midis Tomorit e Apolonisë, të cilat në luftë për vendin e pestë në grupin B kanë dhuruar emocione pa fund, gola e tension, por edhe akuza e ofendime për shkak të gjykimit, që sipas beratasve nuk ishte korrekt.

Askush nuk e kishte parashikuar që qysh në sekondën e 17-të miqtë do të kalonin në avantazh dhe do t’u jepnin një goditje të rëndë psikologjike beratasve, pas atij gabimi trashanik të mbrojtësit afrikan Dore, që u ka dhuruar aq shumë miqve qysh pa nisur mirë takimi.

Në minutat 12′ dhe 17′ beratasit insistojnë për 11-metërsh të mohuar, çka ka acaruar apo tensionuar jashtëzakonisht atmosferën në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Vendasit janë të gjithë në sulm për golin e barazimit dhe me mbështetjen e më shumë se 1000 sportdashësve kanë mbyllur në portë Apoloninë, ku rastet janë të shumta, por goli mungon.

Pas tensionit dhe revoltës masive të vendasve ndaj gjykimit të ndeshjes në pushim të ndeshjes, pjesa e dytë nis me po të njëjtin spektakël në fushë dhe agresivitetin e vendasve, që kanë rritur dukshëm presionin në portën e Apolonisë

Pas një gjuajtje nga Gjonaj në min e 66-të dhe superpritjes së Harizajt, do të vinte edhe goli i barazimit të vendasve me anë të Kolecit, në minutën e 67-të.

Hidhen në sulm vendasit, por Apolonia luan mirë në kundërsulm dhe në minutën e 80-të Hysenshahaj shënon golin e dytë fierak.

Fundi është dramatik, sepse në minutën e 89-të Galica nfalet me faull nga portieri Harizaj dhe penallti, që e shënon kapiteni Paja.

Nuk mbaron me aq, sepse Sharavolli në minutën e 92-të merr një top në hyrje të zonës, depërton bukur dhe nuk fal, duke bërë të shpërthejë festa në stadiumin Tomori.

 

TOMORI – APOLONIA 3 – 2

Shënues: Koleci 67′ Paja 90′ ( 11 m ) Sharavolli 90+ 2′ / Vladisihevlski 1′ Hysenshahaj 80′

Tomori: Kaloshi, Beci, Dervishi, Dore (Mujkiç 58′), Duka, Dyca (Galica 50′), Gjonaj (Kacoli 50′), Koleci, Paja, Shaqe, Sharavolli. Tr; S. Dule.

Apolonia: Harizaj, Buzi, Nako,  Andoni, Hysenshahaj, Mehmeti (Zoga 46′), Jovanovic, Mihana, Prifti, Sota, Vladisavljevi?. Tr: R. Milic.

Kartonë të verdhë: Sharavolli 44′  Dervishi 84′ Beci 88′ / Buzi 13′ Andoni 64′

Gjyqtarë: E. Halo, R. Malaj, T. Kasa

 

DEKLARUAN

Santiliano Dule: Jam shumë i lumtur për fitoren dhe për atë që kanë dhënë futbollistët e mi në këtë ndeshje dramatike, por edhe shumë të tensionuar, jo për fajin tonë. Unë kam vetëm një këshillë për kolegjiumin e gjyqtarëve në FSHF: që të mos veprojnë me dy standarde me delegimet e gjyqtarëve në ndeshje të tilla kaq të rëndësishme. Besoj se Apolonia nuk ka nevojë për t’u mayrë në mbrojtje nga gjyqtarë që sjellin tensione dhe acarojnë ata 2000 sportdashës në stadium, sepse verdiktin e një ndeshje futbolli duhet ta vendosë fusha dhe jo gjykime të tilla që na kanë ngrënë hakun sot me mosakordimin e dy 11-metërshave, duke krijuar një tension që nuk i shërben futbollit. Me përmbysjen që kemi bërë në fund të takimit, treguam se Zoti është aq i drejtë saqë mund çdo pasion apo dëshirë të faktorëve të jashtëm që kërkuan të prishin një ndeshje dhe t’i dhuronin pikë apo fitore në mënyrë të pamerituar Apolonisë në Berat. Ne meritojmë të jemi në pesë të parat e grupit, sepse luajmë me pasion dhe drejtësi edhe kur kemi 14 kundërshtarë në fushë.

Rade Miliç: Më vjen vërtet keq që kemi shpërdoruar avantazhin që kishim në këtë takim, sepse ishte një avantazh i dyfishtë nga fillimi dhe keqardhja është e dyfishtë, sepse kur kryesonim 2-1 mund dhe duhet ta kishim mbyllur ndeshjen më parë me dy apo tre raste flagrante për të realizuar golin e sigurisë. Për sa u përket pretendimeve të beratasve për gjykimin apo 11-metërshat e padhënë në favor të tyre, më duhet të them se ato janë vendime të pavarura të gjyqtarit, dhe s’ka asnjë arsye pse të ofendohem unë si serb apo skuadra ime me ofendime nga sportdashësit vendas, që në përfundim të pjesës parë edhe mua personalisht me kanë goditur me një bidon uji që për fat të mirë nuk më ka dëmtuar.

 

TENSIONI

Në përfundim të pjesës së parë, drejtues të skuadrës së Tomorit dhe sportdashësit beratas kanë reaguar shumë ashpër me thirrje protestuese ndaj gjykimit të ndeshjes, dhe më konkretisht duke i kërkuar llogari kryesorit Halo dhe ndihmësve të tij për mosakordimin e dy 11-metërshave që janë pretenduar nga ana e skuadrës dhe sportdashësve vendas.

Po në pushimin e pjesës së parë, sportdashësit beratas kanë sulmuar verbalisht me thirrje ofenduese presidentin e Apolonisë Koço Kokëdhima, duke e ofenduar në kor, fyerje të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë kokës së pushimit të ndeshjes.

Përpara fillimit të pjesës së dytë, skuadra fierake ka dalë me 4 minuta vonesë në fushën e lojës. Gjithçka ka ardhur pas tensionit të shfaqur në pushim të pjesës së parë, ku bashkë me ofendimet ndaj presidentit Kokëdhima, nga ana e miqve është pretenduar edhe një goditje me bidon uji të teknikut mik Miliç.

Tensioni i lartë i shfaqur nga ana e sportdashësve vendas gjatë gjithë këtij takimi nuk ka qenë vetëm i fokusuar tek gjykimi i njëanshëm i treshes së gjyqtarëve të këtij takimi. Sportdashësit beratas kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj teknikut serb që komunikonte herë pas here në serbisht me skuadrën dhe futbollistë të veçantë të tij, dhe kjo ka irrituar jashtëzakonisht sportdashësit beratas.

Ndërkaq, tifozët vendas kanë kontestuar ashpër edhe mbrojtësin afrikan Dore, i cili u fajësua për golin e parë, pësuar nga Apolonia që në fillim të ndeshjes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *