Izair Emini luajti një ndeshje të madhe, por do të ishte kthyer në hero nëse do të kishte shënuar edhe golin në fundin e takimit, kur goditi traversën.
“Kemi bërë një superndeshje, fati nuk ishte në anën tonë. Duhej të ishim më cinikë, duhej ta ruanim më mirë rezultatin, të menaxhonim situatën, por ky është futbolli. Sinqerisht, kur e mora topin me gjoks, mendoja si të gjuaja. Kur e godita m’u duk se shkoi në rrjetë, për fat të keq nuk ishte ashtu. Nuk pata fat”.
Natyrisht, do të flitet shumë për penalltinë e humbur nga Pejiç, por Emini nuk ndalet aty: “Presioni ndaj Peros ishte i madh, se dihet, po të bënte golin, do ishte kualifikim për ne. Janë gjëra që ndodhin, edhe lojtarë më të mëdhenj kanë humbur penallti. Pejiç nuk është as i pari dhe as i fundit. Ky ishte fati ynë, nuk kemi çfarë të bëjmë”.