“Emigrant” në “pleqëri”, Athanasopulos u tregon Shqipërinë grekëve

Kristos Athanasopulos është bërë greku i parë që luan në futbollin shqiptar dhe në moshën 36-vjeçare ka lënë për herë të parë Greqinë, për të provuar një aventurë jashtë atdheut të vet. Një personazh i veçantë, mjaft interesant, ndaj ‘gazzetta.gr’ ka zhvilluar një intervistë ku portieri i Luftëtarit u tregon grekëve aventurën shqiptare.

– Si përfunduat te Luftëtari dhe si ju pritën?

– Vangjel Çavo, drejtori teknik i Luftëtarit, i cili njeh mirë futbollin grek, kontaktoi trajnerin e portierëve, Janis Zaloras dhe e pyeti për mua. Pastaj më kontaktoi mua dhe menaxherin tim, Stelios Bradeles. Ishte në sfidë për mua, në moshën time. Kam luajtur rreth 250 ndeshje në karrierën time në Ligën e Futbollit Grek, përfshirë edhe Kupën, por kurrë në Superligë, edhe pse shpesh kam qenë pranë firmës. Këtu, për një orë jam në shtëpinë time në Janinë. Presidenti i klubit është Grigor Tavo, i cili tregoi besim të madh te unë dhe më priti me ngrohtësi në grup. Gjirokastra është një qytet i qetë, një vend shumë i bukur me malin dhe kështjellën e tij. Njerëzit më përshëndesin dhe më tregojë dashuri, vlerësim dhe respekt.

– A e dinit kur firmosët se po bëheshit futbollisti i parë grek që luante në kampionatin shqiptar?

– Nuk e kisha idenë. Menaxheri ishte ai që më tregoi. Kjo është një sfidë për mua. Të them të vërtetën, as nuk e prisja që fakti se po firmosja në Shqipëri të binte në sy.

– Si është klima brenda skuadrës?

– Ky është një grup me shumë të rinj, të gjithë me karakter të shkëlqyer. Një pjesë e madhe e tyre kanë eksperienca në Greqi dhe disa flasin greqisht gjithashtu, si Shkurtaj, Minga, Aurelio apo Demo. Edhe presidenti dhe drejtori teknik, siç e thashë, kanë lidhje me Greqinë ndërsa përgatitësi i portierëve, Jovan Mihajloviç, ka shumë eksperiencë në futbollin grek, pasi ka punuar te AEK dhe Olimpiakos.

– Cili është niveli i talenteve të futbollit shqiptar?

-Këtu ka lojtarë të cilët meritojnë diçka më shumë. Talentet shqiptare po bien në sy, diçka që ka filluar të bëhet më e qartë nga Kombëtarja që arriti kualifikimin në Euro 2016, ashtu si edhe fakti që gjithnjë e më shumë lojtarë po transferohen jashtë. Për shembull, pak ditë më parë, një nga futbollistët, Kristal Abazaj, firmosi për Anderlehtin.

– A e mendoni se mund të luani në Europa League me Luftëtarin?

– Nuk ka asnjë futbollist që nuk e dëshiron një pjesëmarrje në Europë, për të fituar një eksperiencë të tillë. Sidomos të rinjtë që kanë luajtur në nivele më të ulëta. Për ne ekziston kjo mundësi. Kanë mbetur shtatë ndeshje të cilat do t’i marrim me radhë. Ky grup është pranë realizimit të objektivit të pjesëmarrjes në Europë. Pastaj do të flasim në verë nëse do të rinovoj apo jo. Por më parë të shohim nëse do të shkojmë në Europë.

– Si mund ta përshkruani nivelin e kampionatit shqiptar?

-Niveli i kampionatit shqiptar është i mirë. Ka skuadra të forta me histori në Europë si Skënderbeu, Kukësi dhe Flamurtari. Niveli është relativisht i lartë dhe stadiumet janë shumë të mira.

– A do ta këshillonit një futbollist grek që të luante në Shqipëri?

– Duke u bazuar te ajo që shoh dhe jetoj, unë do t’u thosha që të mundohen të luajnë në Shqipëri. Sigurisht, nevojiten marrëveshjet e duhura dhe që obligimet e klubit të respektohen. Unë për vete mundohem në çdo stërvitje dhe bëj atë që është e mundur që të ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat e saj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online