Elton Kale hap “Kutinë e Pandorës”: Kontrata false e FSHF inekzistente, lojtarët kanë frikë nga klubet!

Në një speciale nga “Yahoo Sports”, Danilo Alvesh tregonte hallet e tij në Shqipëri. Një tjetër brazilian, i cili është përballur me shumë probleme në Shqipëri është edhe Elton Kale. Një prej lojtarëve më të spikatur të Kategorisë Superiore gjatë një sezoni e gjysmë, por që mbeti disa muaj pa luajtur, për shkak të problemeve me Kukësin.

Pas betejës së gjatë dhe çështjes që shkoi në FIFA (por nuk gjeti zgjidhje), më në fund 30-vjeçari arriti që të luajë me Flamurtarin dhe menjëherë ishte vendimtar në ndeshjen me Partizanin. Për “Yahoo Sports”, sulmuesi zbuloi skandalin e kontratave me klubet.

Nuk bëhet fjalë vetëm për akuzat për falsifikim, për të cilat ka sulmuar gjithmonë drejtuesit e Kukësit, por edhe për praktikën e dy borderove: një kontratë për shtetin, nga e cila paguheshin taksat dhe një kontratë private. Kale zbulon se për kontratën kryesore përfitonte një shifër të vogël dhe sipas kontratës së dytë, në të zezë, paguhej më shumë.

Lojtari u afrua te Kukësi në janar të vitit 2017 dhe për një vit e gjysmë, gjithçka shkoi më së miri, në fushë dhe me pagesat.

Problemi është se pas përfundimit të kontratës klubi depozitoi në FSHF një kontratë të dytë – e cila ishte pa datë – si të ishte e re,  nuk kishte përmirësim të kushteve financiar dhe kishte kohëzgjatje 1,5-vjeçare.

“Kur iu bashkova ekipit, nuk firmosa menjëherë, pasi duhej të kryeja testet mjekësore. Në atë kohë, kisha pak kohë që luaja me ekipin, ndërsa klubi më regjistroi, por asnjëherë nuk ma dhanë një kopje të kontratës. Vetëm se unë kam gjithçka në e-mail, ku më thuhej se kontrata pa datë shërbente vetëm për federatën, duke qenë se klubi nuk kishte arritur të përfundonte regjistrimin brenda afatit”.

Kale shton: “U besova, por nuk e kuptova se çfarë llumi ekziston këtu. Kukësi dëshironte që unë të kthehesha. Edhe unë e doja diçka të tillë, por pas asaj që ndodhi kjo ishte e pamundur. Nëse do të më kishin telefonuar për të rinovuar kontratën, padyshim që do të kisha pranuar, pa bërë lojëra. Më pas u kërkova një shifër më të lartë për të firmosur dhe ata nuk pranuan, ndaj iu drejtova FIFA-s”.

“Jam stërvitur prej muajsh me Flamurtarin, në pritje të vendimit të FIFA-s. Mund të vërtetoj gjithçka dhe avokati im ishte i bindur me 100 për qind se do ta fitonim çështjen. Federata mund ta kishte zgjidhur këtë çështje, pasi u paraqitëm provat që nuk e kisha firmosur kontratën e re, por duke qenë se zyrtarët e këtij institucioni janë miq me klubet, ata e pranuan. Menduan se do ta pranoja këtë marrëveshje, sepse kishte ndodhur edhe më përpara dhe lojtarët kishin frikë dhe tërhiqeshin nga e drejta e tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *