Verdheblutë me shumë eksperiencë por edhe me traditë në futboll, dhe Orikumi me investime dhe kualitete, luajnë këtë fundjavë ndeshjen e sezonit
Këtë fundjavë në Orikum, luhet një ndeshje që ja vlen të shikohet, me dy skuadra që i kanë dhënë “tonin” Grupit B të Kategorisë së Dytë. Orikumi-Elbasani zhvillohet ditën e diel, ndërsa në këtë sfidë pritet që të ketë një interes të madh, jo vetëm nga vendasit dhe elbasanasit, por edhe Albpetroli mban sytë nga kjo kryendeshje e Grupit B. Elbasani me shumë traditë në futbollin shqiptar dhe që ka kryesuar në pjesën më të madhe Grupin B do të kërkojë që të mos ndalet dhe të marrë 3 pikët, madje edhe 1 pikë i bën shumë punë duke pasur parasysh faktin e luan në fushën e rivalit kryesor. Nga ana tjetër, Orikumi ka kohë që e pret këtë ndeshje, madje e sheh si një duel hakmarrje edhe për faktin se në ndeshjen e parë në Elbasan janë ndier të “vjedhur”, pasi në fushë ka luajtur Renato Hyshmeri që sipas tyre ka qenë i dënuar dhe është falur në mënyrë abuzive dhe në shkelje të plotë me rregulloren.
ATMOSFERA – Nga sa bëhet e ditur, pritet që dhjetëra tifozë, ata më të besuarit, por edhe të afërm të lojtarëve të shoqërojnë skuadrën e tyre të zemrës në transfertën e paprovuar më parë, Orikumin. Kurse, nga vendasit pritet që të ketë një numër rekord tifozësh, madje bëhet e ditur se organizimi për këtë fundjavë do të jetë në shkallën maksimale.
PËRGATITJET – Si trajneri Merxha i verdhebluve, ashtu edhe Sakaj i miqve janë dy shok skuadre, që kanë luajtur më parë së bashku, tek Elbasnai, por edhe te Flamurtari. Ndaj edhe të dy do të kërkojnë që t’i rrëmbejnë fitoren njëri-tjetrit. Skuadra që fiton këtë ndeshje do të jetë më pranë ngjitjes në Kategorinë e Parë. “Ethet” e krye ndeshjes kanë ditë që kanë nisur, ndërsa dy qytetet, Elbasani e Orikumi “ziejnë”!