Eksperienca jashtë vendit nuk i ka shkuar ashtu siç e kishte imagjinuar dhe Egzon Bejtullai kthehet sërish në shtëpi. Lojtari u largua në janar nga Shkëndija për të shkuar në Suedi, ku do të mbante veshur fanellën e Helsingborg-ut. Megjithatë debutimi me këta të fundit nuk erdhi dhe mbrojtësi shqiptar ndërpreu bashkëpunimin përpara kohe për shkaqe personale. Në këto kushte pa si zgjidhje të karrierës së tij rikthimin te kuqezinjtë e Tetovës.
Bejtullai ka firmosur për 3 vite me Shkëndijën dhe do të jetë kështu në dispozicion të Ernest Gjokës që nga kualifikueset e Kupave të Europës, pasi kampionati në Maqedoninë e Veriut është pezulluar prej Covid-19. Lajmin e bën të ditur vetë klubi,ndërsa kujtomë se lojtari 26-vjeçar ka mbajtur veshur për 6 vite fanellën e skuadrës tetovare përpara se të largohej drejt Suedisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/