Hamdi Salihi është tashmë një “ish” te Skënderbeu, sepse lamtumira e tij është bërë zyrtare prej ditësh, siç e konfirmon edhe Daja: “Salihi është golashënuesi më i mirë i Skënderbeut dhe është e vështirë të zëvendësohet, por vendimin e largimit e mori vetë”.
Edhe Liridon Latifi e ka paralajmëruar ndarjen nga korçarët, pasi ofertat janë të shumta dhe Skënderbeu është i detyruar ta shesë.
Ndërkaq, trajneri Daja ka zyrtarizuar edhe largimin e sulmuesit Marvin Ogunxhimi dhe mesfushorit Predesku, të dy zhgënjyes në pak muaj në Korçë, edhe pse erdhën me bujë: “Besoj që këta dy lojtarë që ju përmendët e kanë mbyllur me Skënderbeun. Po të ishin të nevojshëm do të gjenin më shumë hapësirë që nga janari dhe deri më sot. Edhe në Kupë ju kujtoj që ne patëm shumë mungesa dhe lojtarët e lartpërmendur nuk u aktivizuan aspak, pasi nuk ishin të nevojshëm. Përveç këtyre, janë edhe emra të tjerë të cilët kur kanë pasur hapësira nuk kanë mundur të bëjnë asnjë gjë. Këta sigurisht që do të largohen”.
Pasoja? Sulmi i Skënderbeut mbetet bosh, sepse janë vetëm Xhejms Adeniji e Plaku dhe duhen urgjentisht përforcime.