Xhuliano Skuka ka arritur që të shënojë dy gola në përballjen e Partizanit ndaj Skënderbeut duke përmbysur i vetëm korçarët. Dy realizime që ishin nuhatje e sulmuesit, i cili tregoi edhe njëherë tjetër aftësitë e tij. Por nëse te Partizani ka festë, te Dinamo duhet të “qajnë” edhe për sulmuesin që iu largua dhe po shkëlqen në anën tjetër të kryeqytetit.
Në një intervistë për “Sport Ekspres”, menaxheri i Skukës, Elton Marini, prek edhe periudhën e kaluar te Dinamo. Ndërkohë për krahasimin e bërë nga Ledio Pano mes Skukës dhe Armando Brojës, kërkohet që sulmuesi të qëndrojë me këmbë në tokë dhe pa u ekzagjeruar.
Dy gola kundër Skënderbeut dhe njeriu i momentit te Partizani. E prisje këtë shpërthim te Skukës kaq shpejt te kjo skuadër?
Mua më gëzon dy golëshi i sotëm ashtu si çdo gol tjetër që shënon Xhuliano. Nuk jam aspak i habitur për golat e Skukës në këtë moment. Kam qenë dhe jam i bindur për cilësitë e tij dhe besoja verbërisht që do bënte diferencën edhe në Kategorinë Superiore. Dua të falenderoj trajnerin Mehmeti që e ka vënë në pozicionin e tij natyral aty ku mund të jap shumë e të shpreh potencialin e tij.
A është ky një mesazh që drejtuesit e klubeve shqiptare duhet të shohin produktin vendas?
Në kushtet e tregut ku ndodhemi, patjetër që politika kryesore e klubeve duhet të ishte orientuar më shumë drejt produktit vendas e sidomos në këtë repart ku ne provojmë të ofrojmë lojtarë nga shumë kombësi të tjera, por që nuk kanë treguar që vlejnë sa pagat për ta. Unë kam disa vite që kam “peshkuar” lojtarë në Kategori të Parë si Fili, Guri, Skuka etj dhe vazhdoj të kem bindjen se edhe tani që flasim ka lojtare të rinj të talentuar që me pak besim e nxjerrin potencialin që kanë në vete. Mund të përmend emra si Oshafi, Filipi, Qardaku, Dragoj etj që shumë mirë mund të jenë pjesë e ekipeve të Superiores.
Tashmë kanë nisur krahasimet e Skukës si Armando Broja i Superiores. E sheh një ngjashmëri?
Në fillim mendoj që të krijojmë një klimë të qetë rreth Xhulianos e të mos ekzagjerohemi sepse nuk më duket me vend krahasimi. Kuptohet që flasim për 2 djem të talentuar, por të rritur me futbollin në kushte të ndryshme e në një kontekst tjetër. E sigurt që sulmi shqiptar ka të ardhme në vitet që vijnë sepse djem të tillë na bëjnë krenar.
Sa gola mund të shënojë ky sulmues deri në fundin e sezonit?
Përgjigja është shumë e vështirë për parashikim, por bindja ime ishte në fillim të sezonit që Skuka do shënonte 15 gola. Për fat të keq, pjesa e parë e sezonit nuk shkoi siç duhet e kështu që me këto ritme shpresoj dhe nuk do jetë problem kapja e statistikave dyshifrore.
Çfarë shkoi keq te koha e tij e Dinamos? Pyetja që po e drejtojnë të gjithë…
Shkoi keq mungesa e besimit nga trajneri dhe drejtori sportiv që nuk arritën të shohin potencialin e Xhulianos dhe ti jepnin kohën e duhur për të marrë rezultatin. Ndoshta drejtuesit në këto momente janë penduar që pranuan një vendim të marrë nga unë e Xhuliano për largimin nga Dinamo, sepse koha po na jep të drejtë. Megjithatë këto janë situata që ndodhin në futboll e gabime gjatë punës ndodhin përditë. Në këtë moment nuk fajësojmë askënd nga Dinamo, por thjesht ky sinjal duhet të shërbejë që situata të tilla mos të përsëriten më askund. /Sport Ekspres/