Ekskluzive/ Super goli në Hungari, Jasir Asani “thumbon” Tiranën para derbit: Kanë frikë vetëm nga ngjyra e kuqe, të luaja një ditë me Kaçen…

Nga Klaudio Ndreca

Jasir Asani shënoi një super gol në ndeshjen e sotme ndaj Paks në elitën e futbollit të Hungarisë. Shumë kohë pritje që ky futbollist të gjente rrjetën, por me mënyrën sesi e dërgoi topin në kuadrat, ndoshta ia vlejti edhe pritja e gjatë. Asani tregoi sërish të gjitha vlerat e tij dhe se është vlerë e shtuar për Kisvardën, që aktualisht mban kryesimin në kampionat duke lënë mbrapa edhe Ferencvarosin e Myrto Uzunit(me dy ndeshje më tepër).

Në një intervistë për “Sport Ekspres” pas golit të shënuar, nuk kishte sesi mos ta ngacmonim pak Asanin edhe për derbin e Partizanit ndaj Tiranës. “Ata kanë frikë vetëm nga ngjyra e kuqe”, thotë Asani mes batutës dhe ngacmimit. Gjithashtu në kohët e fundit kanë qarkulluar zëra se lojtari mund të kthehet te Partizani në janar. Një përgjigje konkrete nuk e morëm mbi këtë rast, megjithëse nga krahu tjetër shprehet dëshira për të luajtur me Ergys Kaçen.

Super goli i realizuar me Kisvardën. Sa shumë çlirim të jep dhe e kishte një domethënie festimi yt?

Normalisht që jam shumë i lumtur që kam arritur të shënojë në momentet më të vështira pasi nuk kam mundur që ta gjej golin. Kishte disa ndeshje, por më në fund ia dola. Festimi? Nuk mund të them më tepër.

Si po shkon aventura në Hungari deri tani, si do ta vlerësoje?

Për mendimin tim nuk ka qenë shumë i mirë, ka pasur shumë vështirësi. Sigurisht që nuk është e lehtë kur largohesh në skuadrat jashtë, duhet koha për t’u adoptuar. Po punoj shumë që të vij në formën maksimale.

Në këto javë të para krijohet ideja se mund të kemi një derbi shqiptar për titullin me Uzunin…

Do të jetë një kampionat shumë i fortë, normalisht. Ne jemi të fokusuar te ndeshjet tona dhe që t’i marrim hap pas hapi.

Në media është përfolur për një kalim te Partizani në janar. Sa të vërteta janë zërat?

Koha do të vërtetojë gjithçka!

Partizani ka derbin me Tiranën. E kot nëse do të pyesnim nëse do e ndjekësh, por a duhet t’i zënë besë bardheblutë formës së dobët të Partizanit? Mund të transformojë derbi?

Sigurisht që do ta ndjek Partizanin, mund të jem edhe në fund të botës, por do e gjej mundësinë për ta ndjekur. Jam rritur si lojtar te Partizani dhe jam i lumtur që kam qenë pjesë e tyre për aq shumë vite. Partizani ka pasur një ngërç të vogël, por besoj se tani do të kthehet te fitorja. Duhet ta bëj për tifozat në këtë ndeshje.

Pra derbi do të fitohet nga Partizani, nuk duhet të kemi diskutime?

Unë mendoj se do të fitojë Partizani, pasi rivalët kanë frikë vetëm kur shohim ngjyrën e kuqe (qesh).

E ke ndjekur Ergys Kaçen? Nuk po arrin të përshtatet ende me Superioren, kaq e vështirë është kur vjen nga një kampionat tjetër?

Ergysi është një ndër lojtarët më të mirë në Superligë. Besoj se dëmtimi nuk e ka lënë që të marri veten, por do ta shihni me vazhdimësinë që do ta ndihmojë shumë Partizanin. Do të kisha qejf që të luaja një ditë me Kaçen. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online