Ekskluzive/ “Skuka duhej të ishte te Kombëtarja”, flet presidenti i “tokës së premtuar” për Superioren: Ja pse nuk eci te Dinamo, nxorëm edhe Sindrit Gurin

Nga Klaudio Ndreca

Pas disa kohësh mungese, Superiorja ka një prodhim premtues shqiptar në majën e sulmit. Bëhet fjalë për Xhuljano Skukën që mund të ngjis hapa të rëndësishëm në karrierë dhe që po shkëlqen te Partizani. Ky rast tregoi më së miri sesa gabojnë presidentët e klubeve të Superiores që kërkojnë futbollistë të huaj, kur mund t’i jepet të paktën një shans, atyre që shënojnë pafundësisht në Kategorinë e Parë.

Nëse pyet sot te Korabi për Skukën, nuk janë aspak të habitur me të, përkundrazi, presin edhe më shumë. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me presidentin e Korabit, Fehmi Mziu, për të folur veçanërisht për sulmuesin e Partizanit. Sa i përket Korabit, ky ekip shihet si një tokë e premtuar për Superioren pasi nuk ka nxjerrë vetëm Skukën në këto vite të fundit. Gjithashtu numri një i ekipit të Kategorisë së Parë i jep zgjidhje edhe pyetjes që ka munduar shumëkënd: “Pse nuk eci Xhuljano te Dinamo?”. Përgjigjen e japin statistikat në thyerjen e aksioneve të kundërshtarit.

Rasti Skuka. A ishte ky shembulli më i mirë për t’i treguar klubeve të Superiores që gabojnë në merkato duke marrë të huaj dhe duke harruar potencialin shqiptar, që mund të ndodhet edhe në kategoritë e ulëta në Shqipëri?

Korabi ka vite që është futur në treg, sidomos në atë shqiptar, por edhe atë huaj. Megjithëse ne nuk e kemi kryer atë transferimin e madh direkt. Përshembull kemi rastin e Sindrit Gurit që ishte te Korabi, shkoi te Kukësi dhe më pas te Ostende në Belgjikë. Te ne janë konfirmuar edhe lojtarë nga Kategoria e Parë që sot bëjnë diferencën në Superiore. Ardit Hoxhaj që vinte nga Bylis dhe sot është titullar i Vllaznisë, Vangjel Zguro nga Pogradeci dhe sot si kapiten i Skënderbeut, Erlis Frashëri nga Kamza dhe sot te Skënderbeu, Bekim Dida, Griseld Lika nga Dinamo dhe sot te Partizani. Këtu futet edhe Skuka, që nuk ka nevojë për shumë komente.

Duke e njohur më së miri lojtarin, pse mendon se nuk erdhi shpërthimi i tij te Dinamo?

Xhuliano është akoma në periudhë formimi dhe ka shumë për të përmirësuar. Te Dinamo ngarkohej me detyra dhe kishte kërkesa të tjera nga aftësitë e tij të lindura. Kur te Korabi dhe Partizani krenohen me golat e tij dhe aftësitë sulmuese, te Dinamo, disa kohë po qarkullonte një statistikë se Skuka ishte lojtari që kishte thyer më shumë aksione në fazën mbrojtëse. Pra ishte larg portës, larg golit. Skuka ka instikte vra.sëse para porte, ndaj nuk i është shfrytëzuar potenciali.

E keni besuar që kur ky futbollist ishte pjesë e Korabit se kishte të ardhme të madhe dhe mund ta shihnit përtej Superiores?

Për mua, Skuka duhej të ishte pjesë e ekipeve të Kombëtares Shqiptare në grupmosha. E them me bindje se e ardhmja e tij është jashtë Shqipërisë dhe më pas mund t’i vijë hapi i madh në karrierë, për të kaluar në Kombëtaren A.

Cila ishte cilësia e parë e Skukës që të ka rënë në sy që në fillim, për të bërë diferencën nga të tjerët?

Golin e ka dhunti, por pika më e fortë është shpejtësia, sidomos ajo e mendimit. Çfarë mund të themi për një lojtar që ka shënuar brenda një ndeshje me të majtë, të djathtë dhe me kokë. Pa përmendur akrobaci, tripletë, goditje dënimi, 11 metërsh dhe shpesh gola me vlerë tre piksha.

Nëse ka kritika për këtë lojtar, janë vetëm për egoizëm dhe shpërdorimi i disa rasteve që mund të shënoheshin nga futbollistët e tjerë. Ja ke tërhequr shpesh veshin edhe ti në të kaluarën?

Deri diku po, edhe pse shumicën e rasteve i nxjerr golat nga hiçi. Humbja e rasteve është pjesë e lojës dhe duhet kuptuar se ai është aty për të dërguar topin në rrjetë. Te ne thoshte: “Më jepni topin dhe bëhuni gati të festoni”. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online