Ekskluzive/ Shqipëria punoi në kohë rekord për afrimin e bujshëm, Nedim Bajrami merr shtetësinë shqiptare

Nga Klaudio Ndreca

Nedim Bajrami është “arma shtesë” që ka Reja në përdorim për kualifikueset e Botërorit. Ky afrim i fundit te Shqipëria bëri jehonë të madhe edhe në mediat zvicerane, të cilat u shprehën se kuqezinjtë “i vodhën” një talent të madh nga duart. Aktualisht me Empolin dhe në vëzhgimin e ekipeve më të mira të Serisë A, Bajrami zgjodhi përfundimisht ngjyrat kuqezi. Por ajo që shqetësonte përpara ndeshjeve të marsit ishte pjesa e dokumentave dhe çështjeve burokratike.

A do të merrte shtetësinë shqiptare ky futbollist përpara këtyre përballjeve? Për këtë arsye nga ana e Kombëtares kanë punuar në kohë rekord për të zgjidhur çdo problem që Bajramit të mos i vonohej shtetësia. “Sport Ekspres” ka siguruar dokumentin zyrtar atje ku duket qartësisht dekreti i Presidentit të Republikës, që i jep shtetësinë shqiptare Nedim Bajramit.

Futbollist nga Tetova spikati në këtë sezon veçanërisht në ndeshjen mes Napolit dhe Empolit. Në atë përballje mesfushori 22-vjeçar realizoi dy gola që ishin “identik” me njëri-tjetrin. Pas kontrollit të mirë të topit vijnë goditjet nga jashtë zonës që e shtangin portierin kundërshtar. Pikërisht këto vlera që i kishin munguar edhe Kombëtares tonë, për të gjetur një mesfushor të këtij kalibri.

Në mesin e shumë mesfushorëve të Shqipërisë që shquhen gjithmonë për “muskujt” dhe forcën, këtë herë kemi fituar më shumë “fantazi”. Me Bajramin si mundësi për t’u zgjedhur, Reja do të ketë shansin për t’i dhënë më tepër jetë aksioneve sulmuese të Shqipërisë dhe që të jenë më efektive.

Jo më kot te Zvicra nuk është pritur aspak mirë vendimi nga ana e mesfushorit që zgjodhi të dëgjonte zemrën që të vishte fanellën kuqezi, pasi ishin shumë të ndërgjegjshëm për vlerat që mbarte ky lojtar. Megjithatë për vetë Bajramin nuk kishte dyshime: “Dëgjova zemrën time, më dërgoi te Shqipëria”. Ndjenja e përkatësisë bëri që mesfushori 22-vjeçar të përfaqësonte origjinën e tij duke dhënë njëkohësisht edhe një shembull të madh për gjithë futbollistët e tjerë që përpara marrjes së vendimeve të tilla, vendosin “me laps e letër” duke bërë llogaritë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online