Ekskluzive/ “Shqetësohemi kur nuk merren me ne”! Drejtori i Tiranës rrëfehet: Ofertë konkrete për Muçin nga Belgjika dhe Kroacia

Nga Klaudio Ndreca

Tirana po korr rezultate fantastike në këtë sezon sa i përket kampionatit shqiptar. Një makineri që po funksionon në perfeksion nga bardheblutë, duke nisur që nga ekipet e moshave dhe ky është suksesi i vërtetë për të treguar se nuk bëhet fjalë për një rastësi që doli papritur diku në 2020. Trofetë e ngritura nga e ardhmja e kryeqytetasve në këtë 100-vjetor janë jo vetëm dhuratë e bukur, por edhe shpresë e madhe për të ardhmen.

Radhën ia kanë kaluar ekipit të parë që drejtohet nga Egbo, për të ngritur lartë titullin e Superiores. Dëshpërimi i vetëm është se bëhet fjalë për kohën e pandemisë dhe ku nuk lejohen organizimet dhe festat si në periudhën normale. Kjo ka prishur jo pak planet e Tiranës. Drejtori i saj, Arbi Laçi, në një intervistë për “Sport Ekspres” sqaron shumë pikëpyetje. Për të vazhduar me presionin e vazhdueshëm që vjen te bardheblutë, ndërsa përgjigja që marrim rreth kësaj çështje i thotë të gjitha: “Shqetësohemi kur nuk merren me ne”.

Tirana është shumë afër titullit kampion. Keni menduar për festën? Si do të zgjidhet kjo çështje duke parë pandeminë dhe dëshirën legjitime të klubit tuaj për të festuar 100-vjetorin me titullin?

Për shkak të pandemisë, na është dashur të ndryshojmë 3-4 herë axhendën e festës së 100-vjetorit. Kishim programuar një miqesore luksi në datën 15 gusht, më pas bëmë një super projekt për një event të madh në 29 korrik, por mungesa e tifozëve në stadium na i ka përmbysur këto plane. Po bëjmë gati diçka tjetër, të kushtëzuar nga pandemia, por diçka do të bëjmë. Titulli është dhurata më e madhe për tifozët në këtë shekull bardheblu.

Në kohët e fundit ka pasur jo pak sulme nga mediat karshi bardhebluve. Po ndihet presioni brenda skuadrës dhe ekziston frika juaj, pra e drejtuesve, për një ndikim që mund të ketë në këto takime të mbetura?

Tirana është klubi më i madh në vend dhe presioni është pjesë e përditshmërisë. Gjithmonë ka diçka për t’u marrë e për t’u komentuar. Nëse nuk ndodh kështu fillojmë e shqetësohemi se përse s’po merren me ne.

Sa i përket Ernest Muçit, a ka një marrëveshje parimore të arritur nga Tirana me ndonjë skuadër konkretisht? Marrim shkas nga fjalët e president Halilit se do të shitet për më tepër se 500 mijë euro. Pra pyetja konkrete është që çdo gol i tanishëm i Muçit apo nëse qëndron edhe për Europën do ia rrisë më tepër vlerën apo është lidhur një marrëveshje për një shifër të caktuar?

Në adresë të klubit janë dy oferta konkrete, nga Belgjika dhe Kroacia. Janë dy skuadra që e ndjekin prej kohësh dhe e kanë ndjekur nga afër këtu në Tiranë. Po punojmë për të marrë më të mirën jo vetëm në planin financiar, por edhe në atë sportiv për Muçin. Në rast transferimi lojtari do të jetë sërish pjesë e jona, duke ruajtur një përqindje të kartonit. Besoj që shumë shpejt do të bëhet konkrete.

Sa i përket zërave për afrimin e Gledi Micit apo Visar Bekajt, sa të vërteta ka në zhurmën mediatike?

Skuadra që kemi ka lojtarët më të mirë të kampionatit. Shumë emra përmenden dhe do të lakohen çdo ditë në media. E rëndësishme më shumë se të tjerat është që të ruajmë këtë skuadër fituese për të nisur një cikël fitues.

Gjatë pushimit të kampionatit për shkakun e pandemisë vumë re se thuajse të gjithë lojtarët e Kombëtares që janë disi të mëdhenj në moshën e tyre zgjidhnin Tiranën si ekipin e vetëm nëse vinin në Shqipëri. A është Tirana aktualisht në kontakt me ndonjë prej tyre?

Respektoj dhe vlerësoj të gjithë emrat e përmendur, por kemi në plan një tjetër strategji. Shumë shpejt do të flasim për të. Na kanë mbetur edhe gjashtë pikë në lojë për të fituar titullin që mungon prej 11 vitesh. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online