Kujtesa e tifozëve të Superiores është aq afatgjatë sa për të sjellë ndërmend Vllazninë në kohën e trajnerit Baldo Rainerit. Rezultatet pozitive dhe shumë fitore që erdhën radhazi, përkuan në mënyrën ideale me lojën e bukur që po zhvillonin shkodranët.
Filozofia ishte e qartë: “Larg të huajt dhe afër të rinjtë e akademisë”. Fundja, një futbollist i ardhur nga një vend tjetër europian do të luante vetëm sa për të fituar paratë. Ndërsa një lojtar që vjen nga akademia, ka aq shumë arsye për të krenuar dhe nderuar qytetin në të cilin bën pjesë.
Por një formulë kjo e cila nuk përkrahet shumë nga trajnerët e tjerë në Shqipëri, fakteqësisht. “Sport Ekspres” e ka kontaktuar për një intervistë Rainerin dhe sapo i përmendim Vllazninë, nuk është e nevojshme të flitet më gjatë, pasi pyetja jonë ndërprihet:
“Jam gjithmonë i lumtur që flas për futbollin shqiptar dhe Vllazninë. Por nuk e kuptoj realisht se përse nuk përpiqen të fillojnë zhvillimin e tyre, duke shfrytëzuar potencialin e madh që zotërojnë tek talentet e reja. Në vend të kësaj, gjithmonë të rinjtë ikin ose i largojnë”.
E për të folur më në veçanti për problemet që ka Vllaznia në syrin e Rainerit, ky i fundit vjen me një rrëfim të gjatë i cili kulmon edhe me dëshirën për të drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë në një të ardhme.
“Duhet të jemi të sinqertë, ky nuk është vetëm problemi i Vllaznisë, por i futbollit shqiptar në përgjithësi. Ekipet duhet t’u besojnë trajnerëve që janë të përgatitur, atyre që lidhen me realitetin në vendin ku punojnë, që jetojnë me atë qytet dhe që t’i japin mundësinë të rinjëve për t’u rritur. Në vend të kësaj, njerëzit shohin vetëm pjesën e marrjes së parave. Kjo histori është e përsëritur që nga 2014.
Të gjithë më thonë: “Ke të drejtë”. Por askush nuk më ka marrë në telefon për të më rikthyer në Shqipëri dhe për një projekt serioz. Sa i përket klubeve që kanë bërë garat në kualifikueset e Europës, nuk mund të shkojnë përpara vetëm dukë marrë trajnerë dhe disa lojtarë të papërgatitur. Duhet staf që të stërvis “burra” dhe presidentët duhet të dëgjojnë që të mos hedhin dëm paratë e tyre.
Vllaznia? Unë nuk e kuptoj se përse nuk thërrasin njerëz të përgatitur, që të sigurojnë rritjen e ekipit të parë së bashku me atë tek të rinjtë, për të zhvilluar një projek të madh. Unë ua kam bërë gjithmonë të mundshëm, por askush nuk më ka kontaktuar privatisht apo publikisht. Më vjen keq që lexoj të njëjtat probleme gjithmonë, por e gjitha kjo ndodh pasi disa njerëz ndodhen në vendin e gabuar.
Historia e së shkuarës flet për mua në numra, prandaj mendoj se një telefonatë mirënjohje nga Bashkia dhe njerëzit që administrojnë Vllazninë, do të ishte e merituar. Shqipëria dhe Vllaznia janë si një lum i stuhishëm për mua, më japin emocione shumë të mëdha. Ndihem gjithashtu gati për ekipin Kombëtar të Shqipërisë, që mbetet ëndrra ime më e madhe.
Me shpresën që një ditë kjo ëndërr do të realizohet. E njoh shumë mirë vendin tuaj dhe shqiptarët, madje edhe ata lojtarë që luajnë në botë. Kosova po punon mirë gjithashtu, por duhet të ketë guxim. Guximi është kryesor në futboll. Dua ta përfundojë këtë intervistë duke thënë se dëshiroj që një telefonatë të mbërrijë nga personat e caktuar dhe të mos bëjnë asnjë dallim, pasi futbolli flet gjuhën e përbashkët”, ka thënë Raineri. /Sport Ekspres/