Ekskluzive/ “Presidenti drejton motivimin ekonomik”! Pali flet para ndeshjes së Laçit me Anderleht: Do nisi 0-0, nuk e kemi “dorëzimin” në fjalor

Nga Klaudio Ndreca

Laçi ka bërë të mundur një “mrekulli të futbollit” duke eliminuar Craiova-n nga “Conference League”. Kur në Rumani u cilësua si tronditja më e madhe në histori që ky rezultat erdhi nga një skuadër shqiptare, shumëkush në vendin tonë e cilësoi disi të tepruar këtë sjellje. Por futbolli flet fillimisht në gjuhën e shifrave, për t’ia lënë gjithçka fushës së blertë. Kurbinasit merituan suksesin e tyre historik me shpirtin dhe grintën e treguar, duke mos “vjedhur” asgjë. Por përse ishte kjo arritje si “mrekulli e futbollit”?

Mjafton të dëgjojmë fjalët e Enriko Papa për “Sport Ekspres”, lojtarit shqiptar që luan te Botoshani. Craiova e paguan një lojtar të saj me rreth 400 mijë euro në vit, ndërsa trajneri i ri përfiton 600 mijë euro në vit. Futbollisti që ishte pjesë e Craiova-s, Cicaledeu, jo vetëm që do të shkonte menjëherë te një skuadër si Galatasaray, por u shit për 6.5 milionë euro.

Nëse i marrim këto të dhëna dhe i përshtasim me realitetin shqiptar, Laçi meriton një duartrokitje të dytë për arritjen, ndoshta edhe më e fuqishme se e para. Padyshim që suksese të këtij niveli vijnë gjithmonë nga puna e organizuar dhe asnjëherë rastësore. Meritë të madhe në hallkën e suksesit ka edhe menaxheri i kurbinasve, Dario Pali.

“Sport Ekspres” e ka intervistuar përpara ndeshjes që Laçi do të luajë kundër Anderleht. Duke mos hequr asgjë nga vlerat e kundërshtarit të njohur në gjithë Europën, Dario shprehet se fjala dorëzim nuk ekziston në fjalorin e Laçit. Motivimi i lojtarëve? Nuk ka nevojë në ndeshje të këtij niveli. Ose më saktë mund të ketë një shtysë të vogël, por jo nga trajneri. Presidenti Pashk Laska di sesi t’i surprizojë dhe të motivojë futbollistët drejt një mrekullie të dytë.

Suksesi i arritur nga Laçi në Europë me Craiovan. Cilat ishin përjetimet dhe ndjesitë e marra në minutat e fundit, sidomos me shtesën e tej zgjatur? Çfarë po iu kalonte ndërmend?

Kalimi i turit të dytë për Laçin përbën histori. Merita i takon të gjithë lojtarëve, stafit dhe në krye presidentit të klubit që ka kontribuar gjithë këto vite në sport duke e zbukuruar një qytet të vogël dhe antik si Laçi. I ka dhënë emër të madh jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe në Europë. Në minutën e 100 mendova që kishte kaluar ndeshja në kohën shtesë 30 minutëshe.

Tani vjen radha e Anderlehtit. Bukur për kaq sa zgjati apo Laçi nuk do dorëzohet kaq lehtë?

Futbolli është i bukur pasi nuk parashikohet. Ne besojmë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit ndaj kujtdo rivali. Anderlehti është emër i madh në Europë, ekip me histori dhe traditë. Por ndeshja do të nisi 0-0 dhe fjala dorëzim nuk rezulton në fjalorin tonë.

Cili do të jetë motivimi që do t’i bëhet lojtarëve për të tentuar ato pak shanse mrekullie ndaj belgëve?

Në ndeshje të tilla, të gjithë janë të motivuar duke nisur nga i pari te i fundit. Mrekullinë në fushë e kanë lojtarët në dorë dhe stafi teknik, ndërsa atë ekonomike e drejton presidenti. (qesh)

Deri tani, kush lojtar të ka ngrohur dhe bindur më tepër nga 4 ndeshjet e Europës?

Të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin e tyre. Përgjigja është në rezultatet e kalimit të dy tureve. Forca e Laçit ka qenë dhe do të jetë grupi me shpirtin luftarak. Kjo na karakterizon si ekip.

A janë këto rezultate edhe “kërcënim” për të tjerët, se Laçi do të jetë aty për titullin kampion në Superiore?

Gjithmonë futem në kompeticion për të marrë maksimumin e mundshëm, nuk ka rëndësi kush është kundërshtari. Por për objektivat mbeten sërish për t’u diskutuar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online