Ekskluzive/ “Përse nuk donin kohë vëllezërit Taipi dhe Ibrahimi?”! Ruco flet për sulmuesin më të nënvlerësuar: Vjen pas Ngos dhe Seferit…

Nga Klaudio Ndreca

Superiorja ka mbyllur javën e shtatë të saj dhe tashmë kemi një panoramë të parë për të parashikuar se çfarë mund të na presë në këtë sezon. Tirana është në vendin e parë, por Kukësi është ekipi që po shkëlqen më tepër me futbollin e bukur. Partizani gjendet në krizën totale, ndërsa Vllaznia, Teuta dhe Laçi do të jenë sërish aty për të rivalizuar. Këtyre ekipeve i shtohet edhe surpriza e këtij sezoni, Egnatia.

Sport Ekspres” ka intervistuar Edmond Rucon, për të marrë mendimin e tij rreth këtyre ndeshjeve. Egnatia krahasohet me punën e milingonës, ndërsa quhen justifikime të gjitha fjalët e trajnerëve që kërkojnë kohë për lojtarët e rinj. “Përse nuk do kohë Ibrahimi dhe vëllezërit Taipi?”, pyet me të drejtë Ruco.

Në këndvështrimin tonë, sulmuesi i Dinamos, Cinedu, është sulmuesi më i nënvlerësuar në Superiore. Pakkush flet për të, por është lojtari që po tregon saktësinë, duelet e fituara falë fizikut të tij, inteligjencën e madhe dhe hapjen e hapësirave për shokët e skuadrës. Sipas Rucos, ky është sulmuesi i tretë më i mirë në Superiore dhe që vjen pas Ngos dhe Seferit.

Si të është dukur Superiorja në këto javë të para? Mund të dallojmë shumë mbrojtës që po shkëlqejnë, por pak sulmues të mirë…

Atëherë në shtatë javët e para, të gjitha ekipet kanë treguar fytyrën e kampionatit, pra kemi fytyrën e Superiores. Jam i befasuar nga Egnatia, Tirana është një nga ekipet pretendente për titull, por është akoma herët. Teuta nuk po shfaqet me petkun e kampionit, Vllaznia ka pësuar një rënie dhe Partizani dhe Kukësi po prodhojnë lojë, ndërsa Kastrioti po tregon grintën e saj, ka ngritje në performanca. Në këtë javë me Teutën, po të ishte më cinike mund të fitonte.

Sa i përket Vllaznisë, ka rënie nga sezoni i shkuar apo janë rritur të tjerët?

Jo, diçka nuk shkon te Vllaznia, por me Tiranën mungonte një lojtar si Gurishta dhe Mustedanagiç që sa herë vjen nga stoli, tregohet deçiziv. Presioni është i madh atje dhe e pamë që kur doli Toli me karton të kuq, mungesa nuk u vu re. Trajneri Brdariç nuk po e mban dot presionin e ambientit te Vllaznia. E kam fjalë për presionin e jashtëm, jo të lojtarëve, pasi i menaxhon si duhet. Vllaznia ka prodhuar futboll gjithmonë, edhe kur ka qenë dobët me klasifikimin. Rezultatet më të mira i kanë ardhur shumë herë nga transfertat, pasi presioni është i madh në aspektin psikologjik.

Teuta është kampione në fuqi e Superiores. A mund të arrijë që ta mbrojë titullin duke pasur dy sulmues si Georgiev dhe Koumbemba, që janë dukshëm nën nivel dhe nuk mund të arrijnë te goli?

Po, por nga sezoni i shkuar mungojnë dy Vilat që kanë pasur shkëlqimin e tyre. Sulmuesit nuk janë akoma pjesë e grupit, nuk janë shkrirë. Mbrojtja është mirë, bëjnë gabimet e tyre, por nuk bien shumë në sy në krahasim me pjesën ofensive, pra këtu po flas jo vetëm për sulmuesit, por edhe për mesfushorët ofensiv. Për mua te Teuta është Aleksi si lojtari më i mirë.

Të ka zhgënjyer edhe Kallaku?

Po, shumë. Prisja që të merrte ekipin për dore. Ka periudhën e vetë në errësirë, por kam shumë besim te ai lojtari se ka inteligjencë sportive dhe është vlerë e shtuar për Superioren.

Të kalojmë pak te Dinamo, a është duke i marrë maksimumin Shkëmbi kësaj makinerie?

Duke përjashtuar javët e para, po punon me gabimet. Gjithmonë e shihja që Dinamo pësonte gola nga goditjet standarte, vendosej keq dhe pësonte gola. Ka punuar në këtë aspekt, por po shpërdoron raste. Ka super lojtar si Ibrahimi, që me pak thjeshtësi mund ta zgjidhte ndeshjen e fundit.

Në fakt, pyetja lidhet më tepër me pjesën sulmuese. Shohim një Cinedu që shkëlqen në sulm, por rri shumë larg portës…

Për mendimin tim, pas dyshes Ngo dhe Seferi, për mua vjen Cinedu në vendin e tretë si më i miri. Ka një lexim loje të mahnitshme, liron zonat, merr dy kundërshtarë me vete dhe i jep shumë ndihmë Dinamos.

Ndërkohë tema e ditës është Partizani. Shumë është folur edhe për trajnerin Daja, por në këto 7 javë ka 3 gola qesharak që pësohen nga Hoxha dhe një gabim trashanik nga Belica. Si mund të shpjegohen që gafat e mëdha vijnë nga baza e vjetër, në një kohë që diskutohet për shkarkimin e trajnerit?

Kur je te vija e mbrojtjes, gjithmonë gabimet të shihen me lupë. Kur gabon sulmuesi, ka dy sita le të themi që e mbulojnë atë, mesfusha dhe mbrojtja. Për këtë arsye vihet re gabimi i Belicës. Hoxha? Është një nga më të mirët për mua. Gabime të tilla ndodhin edhe te portierët më të mirët në botë si Neuer. Shezni ka gabuar pa masë në këtë sezon. E vërtetë që bëri gabimin me Egnatian, por priti edhe dy raste të pastra që ishin 90% për gol. Te Partizani kam shumë besim te Daja, është një nga më të mirët e Superiores. E kam ngritur si shqetësim rastin Kardozo. Luan shumë mbrapa dhe është sulmuesi i deklaruar në skemë, bashkë me Carën. Është thënë se kjo është në natyrën e lojtarit që tërhiqet mbrapa për të marrë topin, por kjo është energji e çuar dëm.

Egnatia, është kjo surpriza e këtij kampionati?

Më ka surprizuar vetëm për faktin që ka një trajner me këmbë në tokë, nuk është gjeneral, është ushtar. Kurrë nuk vetëkënaqet, di të mbajë grupin. Egnatian nuk e kanë marrë seriozisht të tjerët dhe po e pësojnë. E shoh si puna e milingonës, që vetëm punon dhe mbledh pikë.

Gjithmonë trajnerët justifikohen se ekipet e tyre janë të formuara vonë dhe duhet kohë për ambientim, por Kukësi na provon të kundërtën…

Për mua këto lloj arsyetimesh, janë vetëm justifikime. Një lojtar profesionist, nuk ka nevojë për kohë dhe kimi. Te Kukësi janë dy vëllezërit Taipi, nuk kanë nevojë fare për kohë, kudo që t’i çosh do përshtaten direkt me lojën. Janë të sprovuar, luajnë pa emocione dhe japin 120% në fushë. Ke rastin e Ibrahimit, kaloi nga Kukësi te Dinamo dhe menjëherë tregoi vlerat. Përse këta lojtarë nuk kanë kërkuar kohë? Për këtë arsye e them…

Dy ekipet që kemi lënë pa komentuar janë Skënderbeu dhe Kastrioti. Duken të fundit për nga cilësia, por a do të jenë të fundit edhe në renditje?

Skënderbeu e përfundoi shumë mirë në sezonin e shkuar dhe nuk e nisi mirë në këtë sezon. Kam shumë besim te Memelli, e ka treguar veten, por tani nuk po i përgjigjet ekipi. Kastroti? Ndreu është stekë e vjetër dhe pushimet për Kombëtaren i bëjnë gjithmonë mirë që të ngrejë më tepër nivelin e një ekipi që po vjen vetëm në rritje. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online