Ekskluzive: Ofertë nga Superiorja për Nestor Martinenën

E mbani mend Nestor Martinenën? Në vitin 2010 linte elitën e futbollit argjentinas dhe provonte Kategorinë Superiore. Sulmuesi, tashmë 31 vjeç, vishte fanellën e Dinamos dhe me blutë u aktivizua në 27 ndeshje. Shënoi vetëm 6 gola, por ra në sy për paraqitjet e tij. Atë vit shkoi në finalen e Kupës së Shqipërisë me kryeqytetasit, por nuk triumfuan dot kundër Tiranës.

Në verën e vitit 2011 u rikthye në Argjentinë dhe luajti në ligën e dytë të vendit të tij. Ka provuar të luajë edhe në të tretën, sikurse edhe në Kili e Ekuador. Në këto dy vende është aktivizuar në elitë. Me Fuerza Amarilla në Ekuador u aktivizua nga janari i vitit 2017 deri në korrik.

Më pas ka kaluar te Sportivo Desamparados, ku ka luajtur 18 ndeshje, duke shënuar vetëm një gol. Gjithsesi për sulmuesin në vendin tonë ekziston një mendim pozitiv, ndaj edhe së fundmi është kontaktuar nga një klub i Superiores.

“SportEkspres.com” mëson se Kamza është në bisedime me sulmuesin, i cili ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Një rikthim në Shqipëri për të nuk përjashtohet, por sigurisht kërkon që të marrë edhe një ofertë të kënaqshme në aspektin financiar.

Nga ana tjetër Kamza po mundohet të afrojë një lojtar goli, pasi me largimin e Raçic dhe Plakun që ka nënshkruar me Kukësin, është e nevojshme që për trajnerin Bledar Devolli të ketë alternativa cilësore. Martinena e njeh Superioren dhe mendohet se mund t’i bëjë punë skuadrës periferike të kryeqytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *