Një lajm i keq vjen për Shqipërinë e Rejës. Teksa po afrohemi gjithmonë e më tepër me ndeshjet e Ligës së Kombeve, titullari i padiskutueshëm i kuqezinjëve do të mungojë në këto përballje. Bëhet fjalë për Keidi Baren që u dëmtua në gju gjatë ndeshjes me Vallecanol. “Sport Ekspres” mëson se situata ishte jo pak serioze dhe për mesfushorin u diskutua edhe operimi.
Fatmirësisht nuk është mbërritur deri në këtë pikë, megjithatë ky nuk është lehtësim për Rejën dhe tifozët e Shqipërisë. Keidi do të mungojë për rreth 8 javë nga fushat e blertë dhe kjo do të thotë se mesfushori nuk do të jetë i grumbulluar për ndeshjet e qershorit ndaj Islandës dhe Israelit.
Ky dëmtim vjen në momentin më të papërshtatshëm për vetë lojtarin. Performancat e tij kishin ardhur në rritje te Espanjoli dhe po gjente vazhdimësinë. Shumë dëmtime e kanë penalizuar Baren në gjithë këtë periudhë të tij në La Liga duke mos e lënë që të marrë maksimumin nga vetja. /Sport Ekspres/