Ekskluzive/ “Nuk më pëlqen mos besimi ndaj arbitrave dhe sharjet”! Klas në fushë dhe më i madh jashtë saj, Ibrahimi kujton: Presim finalen e Europës në Tiranë

Nga Klaudio Ndreca

Nëse mendoni se Agim Ibrahimi është një lojtar i madh dhe me peshë të rëndë në Superioren tonë vetëm në fushën e lojës, me siguri që gaboheni, jashtë saj i tejkalon më tepër limitet. Gjithmonë thuhet se sa më lartë të shkosh, atëherë do të kuptosh se thjeshtësia i karakterizon ata persona që kanë mbërritur deri në lartësi të tilla.

Për elitën e futbollit tonë, pa asnjë ekzagjerim, Ibrahimi është i tillë. Erdhi në Superiore me një CV që është luks për ne, pasi ka qenë në ekipe si Cagliari, Maribori, Astana, Domzale dhe Olimpija. Por ndryshe nga shumë afrime të zhurmshme që vijnë në Shqipëri për të bërë pushime dhe për t’u relaksuar, Ibrahimi tregoi se kishte ardhur për…futboll!

Si një profesionist i vërtetë arriti që të spikaste edhe në terrin e Kukësit në sezonin e shkuar, atje ku gjithçka shkoi për djall dhe Agimi e justifikoi veten. Ndërkohë në këtë sezon të ri me Dinamon, tregoi sërish se të gjitha përcaktimet si “ambientim”, “përshtatje”, “kohë”, janë vetëm justifikime. Në rastin më të mirë është mungesa e cilësive të një lojtari që nuk ka se çfarë të shpreh në fushë ose në më të keqin, siç e pranon edhe vetë Ibrahimi, edhe vitet në futboll janë numër pasi mungon jeta profesioniste e një lojtari që nuk arrin të menaxhoj dot veten.

Pavarësisht të shkuarës së pasur, ai nuk pendohet që ka zgjedhur të luajë në Superiore, përkundrazi, do t’i vinte shumë keq nëse nuk do të ishte pjesë e saj. E akoma më domethënës është mesazhi që jep përmes përshtypjes së keqe që i është lënë në vendin tonë. Mungesa e madhe dhe presioni që i bëhet arbitrave në marrjen e vendimeve dhe njëkohësisht sharjet ndaj lojtarëve janë vetëm një imazh i keq që na ndikojnë jo pak në një kohë që UEFA na ka besuar një finale kompeticioni si ajo e Conference League.

Të jesh futbollist i zgjuar në fushë, do të thotë me patjetër që të njëjtin klas inteligjence ta kesh edhe jashtë saj, Ibrahimi e vërtetoi në këtë intervistë që ka dhënë për “Sport Ekspres”. Ose të paktën, kjo ishte përshtypja që na la.

Erdhe me një CV të pasur në Superiore dhe ishte “luks” për elitën e futbollit tonë. Pas një sezoni të mirë në aspektin personal dhe të keq të skuadrës, e mendove në ndonjë moment që ishte zgjedhje e gabuar ardhja në Shqipëri?

Jo, aspak. Madje është e kundërta, do të më vinte keq që të mos kisha luajtur në Shqipëri. Doja shumë që ta përjetoja këtë ndjenjë dhe eksperiencë këtu.

Për të kaluar te vendimi i ri, për të shkuar te Dinamo. Cfarë të bindi te kjo skuadër në projektin që u paraqit?

Projekti afatgjatë më bindi, për të rikthyer Dinamon aty ku e ka vendin. Që nga presidenti e deri te ne lojtarët, jemi të një mendimi se Dinamo duhet ngritur në nivel europian. Jo vetëm me lojën, por edhe me sjellje brenda dhe jashtë fushe.

Shumë specialistë të kanë përmendur si rastin që tregon se ambientimi nuk kërkon kohë, por është vetëm justifikim, kur mungon cilësia. Je i të njëjtit mendim?

Jo vetëm ambientimi, por edhe vitet janë numër në futboll, derisa ke jetë profesionale dhe e mban formën fizike në nivel. Për ambientim mund të them se duhet të përshtatemi, të jemi vetvetja dhe të japim gjithmonë maksimumin, për të qenë shembulli i të tjerëve.

Goli ndaj Kastrioti ishte panoramë e bukur për mbylljen e javës dhe do të mbahet mend për mënyrën sesi u realizua. E kishe një ndjesi të parë se do të arrije të shënoje në atë moment? Sa punon në stërvitje për goditje të tilla?

Edhe pse kam shënuar në atë mënyrë, i ndiej dhe i përjetoj të gjitha golat, nuk ka rëndësi se kush është kundërshtari. Punoj çdo ditë në stërvitje me shumë përkushtim, ndërsa këto goditje janë edhe punë momenti në ndeshje.

Le të kalojmë pak te shoku i skuadrës, Cinedu. Në pamje të parë duket sulmues me shumë klas dhe nuhatje të mirë me portën, por shifrat nuk flasin për të ose më saktë nuk po e shprehim më së miri vlerat e tij. A mund të punohet më tepër që ekipi të vendoset në shërbim të tij?

Për mua Cinedu është lojtari më i fortë në Superiore për aspektin fizik. Duhet të punoj shumë në stërvitje për të gjetur atë që quhet “timing”, të shfrytzojë mundësitë që i ka, përqendrim dhe përkushtim maksimal në stërvitje për të shfrytëzuar edhe atë mini rast që i paraqitet.

Maqedonia arriti që të kalojë edhe në fazën e fundit të Botërorit. E shpreson një mundësi nëse “çmendesh” në këtë sezon të Superiores apo të duket e pamundur që të tërheqësh vëmendjen për të pasur një mundësi ndaj Italisë, duke parë se shpeshherë ajo që vendos janë ekipet ku luajnë lojtarët dhe më pak forma e aftësitë e tyre?

Jo, aspak. Nuk jam në atë rrugë për t’i tërhequr vëmendjen askujt, punoj për të ndihmuar ekipin për të bërë më të mirën dhe nuk e vras mendjen fare në këtë drejtim.

Në gjithë këtë rrugëtim të Superiores dhe jetese në Shqipëri, cila ka qenë gjëja më e bukur që të ka tërhequr vëmendjen më shumë në mënyrë positive dhe ajo negative?

Pozitive? Ka shumë gjëra që dua t’i përmend. Mikpritja është e ngrohtë, niveli i profesionalizmit është i lartë, përfshirë këtu edhe mediat që e ndihmojnë ngritjen e futbollit në vend dhe në rajon, pa harruar edhe ndërtimet e stadiumeve. Mënyra negative për mua është ndoshta ai mosbesimi i madh që kemi ndaj arbitrave dhe presioni, sharjet ndaj futbollistëve. Të mos bëhemi gafa dhe vëmendja e mediave europiane siç jemi bërë pak javë më parë, teksa arbitri shihte VAR dhe kishte sharje, madje donin që disa persona të hynin në fushë. Duhet të gjithë që të kemi shumë kujdes se jemi në qendër të vëmendjes europiane edhe për finalen e Conference League që do të luhet në Tiranë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online