Nga Klaudio Ndreca
Kategoria e Dytë mbetet gjithmonë larg syrit dhe skanerit mediatik duke bërë që problemet e lojtarëve të shtohen më tepër. Sikur të mos mjaftojë futbolli burrëror i nivelit të tepruar, fushat që nuk janë në kushtet më të mira në këto nivele dhe vështirësitë ekonomike, harresa mediatike vjen si goditje e fundit për të rrëzuar në tokë kuptimin e fjalës “futbollist”.
Por me siguri që ndjenja e përgjegjësisë dhe dashuria që kanë këta lojtarë për fanellën dhe qytetin e tyre, nuk mund të krahasohet kurrsesi me ekipet e nivelit më të lartë në Shqipëri. Është pikërisht vendi ku interesi mendohet i fundit përpara pasionit, në vendin ku luhet ende me zemër.
E në këtë Kategori të Dytë dallojmë edhe Naftëtarin e Kuçovës. Për shumëkënd nga brezi i ri ndoshta ky emër nuk thotë asgjë, por nëse shfletojmë disi më tepër historinë, dallohet si një tjetër vlerë që shton muzeun e futbollit shqiptar. “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të intervistojë “besnikun e përjetshëm” të Naftëtarit, Anesti Marini.
Ky i fundit ka dalë nga moshat e kësaj skuadre dhe është i vetmi që nuk ka lëvizur në asnjë ekip tjetër, duke mbajtur edhe shirtin e kapitenit për dy sezone. Teknika me topin dhe qetësia në lojë janë karakteristikat e mesfushorit 26-vjeçar, së bashku me buzëqeshjen dhe mimikën e fytyrës që të kujton legjendën braziliane, Ronaldinjo. Si një tifoz i flakët i Interit, Marini nuk zgjedh që të mbështesë ekipin e zemrës në Itali përpara një ndeshje të qytetit të tij. Mes një derbi Inter-Milan dhe Naftëtari-Tomori? Preferon këtë të fundit!
Naftëtari i Kuçovës! Gjithë këto vite të fundit lënë në harresë historinë e shkuar të kësaj skuadre. Marini, çfarë përfaqëson për ty kjo fanellë dhe sa i lidhur je me të?
Babai im është tifoz i vjetër i ekipit të Naftëtarit edhe nuk linte ndeshje pa ndjekur. Më merrte gjithmonë që të vogël me vete në stadium. Duke parë ndeshjet e ekipit që në atë moshë u dashurova me ato ngjyra edhe me atë ekip me tradita e histori në futbollin shqiptar. Si fëmijë që kisha pasion futbollin, bëra një pakt me veten që një ditë unë do luaj për këtë fanellë dhe ketë qytet. Ashtu ndodhi dhe aktualisht jam duke përfaqësuar këtë fanellë që për mua do të thotë shumë.
Vazhdojmë që të mbetemi peng të së shkuarës. Sa shumë ka për të thënë Naftëtari dhe përse i duhet me patjetër niveleve më të larta të futbollit shqiptar?
Kërkohet me patjetër pasi Naftëtari është ekip me traditë në futbollin shqiptar. Ka marrë edhe shumë epitete në kohën e artë duke u krahasuar me Ajaksin e Shqipërisë. Forcën e këtij ekipi e kanë provuar në kurriz edhe ekipe të mëdha në Shqipëri si Partizani që u mund nga Naftëtari në shifrat 0-3 në Tiranë. Atëherë Naftëtari luajti me 10 lojtarë dhe në portë hyri një mbrojtës. Qyteti e dashuronte shumë klubin e tij dhe historia për këtë skuadër është shumë e madhe, por fatkeqësisht i përket vetëm së shkuarës tani.
Në sezonin e shkuar keni qenë kapiteni i kësaj skuadre. Je i vetmi futbollist që ke dalë nga moshat e Naftëtarit dhe nuk ke lëvizur me asnjë skuadër tjetër. Nuk kanë qenë mundësitë apo ishte dëshira jote për të qëndruar besnik?
Po është e vërtetë që isha kapiten i ekipit për 2 vite pasi pati një eksod të lojtarëve me shumë eksperiencë. Si më i vjetri i skuadrës që isha në atë kohë u gradova si kapiten. Ishte përgjegjësi më e madhe dhe fati im i keq që isha në dy vitet më të errëta të ekipit si kapiten ku një ekip me traditë po luftonte për mbijetesë në këtë kategori. Po është e vërtetë që kam kaluar në të gjitha grup moshat deri në ekip të parë. Ka pasur interesime, por unë zgjodha që të rrija besnik me skuadrën e zemrës sime.
Sa e vështirë është për një futbollist që të mbijetojë kur endet mes Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Kaq i madh është pasioni për t’u mos dorëzuar?
Futbolli në këtë Kategori është shumë i egër, burrëror, për shkak edhe të terreneve jo shumë të përshtatshme për të luajtur futboll. Këtu ndikon edhe pjesa që nuk jemi shumë në skanerin e mediave. Por pavarësisht kësaj pasioni është shumë i madh dhe nuk na lë që të dorëzohemi, por vetëm të ecim përpara.
Aktualisht jeni në vendin e katërt të kampionatit. Cili është objektivi i klubit për këtë sezon dhe kur do të rikthehet sërish kjo skuadër në Kategorinë e Parë?
Objektivi i Naftëtarit është gjithmonë që të shkojë sa më lart. Edhe këtë vit është si objektiv për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Pavarësisht renditjes, ne besojmë se ato gabimet që kemi bërë në fazën e parë do t’i përmirësojmë në këtë fazë të dytë dhe shpresoj që do të na buzëqesh fati për të realizuar objektivin. Nuk e meriton Naftëtari këtë kategori. Duhet të theksojë edhe punën e mirë që ka bërë stafi teknik këtë sezon duke e rritur shumë skuadrën në drejtimin e Adriatik Kananit dhe Ardian Gegës.
Një tifoz i çmendur pas Interit. Nëse do të ishe si tifoz dhe do të ishin dy ndeshjet në të njëjtin orar. Cilin derbi do të ndiqje, Inter-Milan apo Tomori-Naftëtari?
Jam tifoz i Interit dhe uroj që këtë herë ta fitojmë kampionatin në Serinë A pasi kemi pritur shumë gjatë. Pyetja shumë e vështirë, rivalitet i fortë nga të dy krahët, por do të preferoja Tomori-Naftëtari.
Idhulli juaj mund të kuptohet disi nga buzëqeshja. Flitet për Ronaldinjon apo jo?
Këtu duhet të bëjë një ndarje mes idhujve pasi e kam ndjekur që i vogël Ronaldinjon, por padyshim që frymëzimi i vërtetë është Kristiano Ronaldo.
Dëshira e së ardhmes! Çfarë do të kërkojë më tepër nga vetja Anesti Marini, një ngjitje me Naftëtarin në nivelet më të larta apo edhe një ecuri në ngritje e karrierës personale?
Dëshira ime e së ardhmes është që të ngjitem me Naftëtarin për të qenë pjesë e Kategorisë së Parë. /Sport Ekspres/