Ekskluzive/ “Na nënvlerësuan, i treguam forcën”! Pika më e fortë e Laçit: Rivalët na përgëzuan, bukur të luash me Anderlehtin

Shumë lojtarë që ikin dhe vijnë, por Regi Lushkja ka mbetur te Laçi prej vitesh si pika më e fortë dhe “truri” i skuadrës. Falë pasimit të tij do të vinte edhe goli i triumfit të kurbinasve kundër Craiovës. Ky gol ka shkundur Rumaninë dhe mori “kokën” e trajnerit grek Ouzounidis dhe njëkohësisht ndihmësit të tij, Bledar Kola. Sigurisht, nuk ishte faji i Lushkjas, por i rivalëve që nuk e morën seriozisht përballjen me shqiptarët.

“Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me “xhevahirin” e Laçit për të diskutuar gjithçka sa i përket ndeshjes me Craiovan, të ardhmes së Regit, por njëkohësisht edhe Anderlehtit që vjen si emri i rivalit të radhës nëse mbërrihet në turin e tretë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme ishte fakti se Lushkja luajti me Craiovan ndeshjen e 200 me Laçin. Për këtë arsye kënaqësia e fitores dhe shkëlqimit ka ndjenjë të trefishtë lumturie.

“Ne e kishim studiuar shumë mirë kundërshtarin dhe e dinim se janë të fortë dhe kanë shumë cilësi. E përgatitëm shumë mirë ndeshjen duke zbatuar detyrat e trajnerit. Kjo na solli suksesin. Ishim të bindur se nëse do t’i zbatonim ato detyra do të dilnim me rezultat pozitiv. Jo vetëm unë, por gjithë ekipi bëri ndeshje të mirë përballë ekipit të fortë si Craiova. Rezultati na favorizon disi për kthimin. Dhurova një asist në këtë ndeshje të vështirë dhe të rëndësishme, por mbi të gjitha në ndeshjen time të 200 me fanellën e Laçit në gjithë kompeticionet. Jam shumë i gëzuar për këtë.

Nuk i kam parë mediat në Rumani se çfarë flasin. Ndeshjet duhen vlerësuar në maksimum se nuk ka skuadra të lehta. Ne jemi ekip i fortë dhe cilësor. Ndoshta na nënvlerësuan, por i treguam forcën tonë dhe nuk do ta kenë të lehtë ndaj nesh. Do të tentojmë të marrim maksimumin në Rumani dhe japim gjithçka të kualifikohemi.

Koha për aventurë jashtë Shqipërisë? U bënë disa sezone me Laçin, kam dhënë maksimumin gjithmonë. Po punojmë pr një transferim dhe besoj se do të ndodhi shumë shpejt. Anderlehti? Ekip i madh dhe diçka e bukur të luash me ta, por le të jemi profesionist. Ndeshja e kthimit është me Craiovën që është pengesa e madhe. Kundërshtarët na përgëzuan për ndeshjen që kemi bërë”, tha Lushkja. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *