Një lajm i bujshëm për Superioren: Kamza është pranë arritjes së marrëveshjes me Dinamon e Kievit për mbrojtësin Zurab Oçihava.
“Sport Ekspres” zbulon se dy klubet kanë biseduar ditët e fundit dhe marrëveshja është drejt konkretizimit.
Një lëvizje e papritur dhe mjaft e rëndësishme ajo e Kamzës, qr në këtë mënyrë tregon se në tregun e huaj nuk merr lojtarë të panjohur e pa vlerë.
Oçihava është vetëm 23 vjeç, është pjesë e klubit gjigant ukrainas prej vitit 2015 dhe në sezonin 2016/17 debutoi në Premier Ligën ukrainase me fanellën e Dinamos.
Qendërmbrojtësi i fuqishëm u huazua tek Olimpik Doneck sezonin e fundit, duke luajtur në 13 ndeshje kampionati, ndërsa tashmë pritet të zbarkojë në Shqipëri.
Transferimi i tij pritet të bëhet sërish në formë huazimi, pasi Dinamo nuk ka ndërmend ta lërë të lirë mbrojtësin, ndërkohë që operacioni është duke u kompletuar nga drejtori sportiv i Kamzës, Andi Matraxhiu, i cili ka jo pak lidhje edhe në Lindje.