Ekskluzive/ “Kur bashkohen shqiptarët, vuajnë rivalët”! Mërgimi dhe Loriku tregojnë Kombëtaren: Mijëra tifozë do vijnë nga Kosova

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria do të luajë një finale të vërtetë ndaj Polonisë në “Air Albania”. Sa shumë kohë pa e përjetuar një emocion të tillë, djema, na kishit munguar! E gjitha kjo falë këtij grupi të jashtëzakonshëm lojtarët dhe sigurisht, “baby” Broja! Interesimi për këtë sfidë është i madh dhe 22.000 bileta janë shitur brenda pak kohësh ose siç u shpreh edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, mund të mbushnim edhe një stadium me 220.000 tifozë.

Para këtij takimi “Sport Ekspres” ka kontaktuar me dy gazetarët shqiptarë nga Kosova që janë pjesë e një prej mediave më të klikuara, “Gazeta Blic”. Kështu kemi kontaktuar me Mërgim Rrecin dhe Lorik Jashanican. Të dy kanë folur me entuziazmin e madh, si të gjithë shqiptarët në të gjithë trojet që gjenden, sa i përket kësaj ndeshje të Kombëtares. Mërgimi na tregon fillimisht se një numër i madh i tifozëve që do të jenë në “Air Albania” janë nga Kosova.

“Ndeshja e sotme ndaj Polonisë pritet të jetë njëra ndër ndeshjet më të zjarrta që ka zhvilluar kombëtarja kuq e zi në vitet e fundit. E para për faktin se asnjëherë nuk ka qenë më afër realizimit të ëndrrës së madhe, kualifikimit në kampionat botëror, si dhe e dyta për shkakun se do të jetë pikërisht ky takim ai që pothuajse do të vendosë për skuadrën që do të kalojë tutje, me kuqezinjtë që me një fitore eventuale në masë të madhe do ta sigurojnë pozitën e dytë brenda këtij grupi. Shqipëria, natyrisht nuk do të jetë inferiore për asnjë moment në këtë takim, madje pres që pikërisht kuqezinjtë ta dominojnë rrjedhën e ndeshjes, bazuar edhe tek atmosfera e mrekullueshme që pritet të jetë në shkallët e stadiumit “Air Albania”.

Interesimi i tifozëve është i jashtëzakonshëm, gjatë kontaktit tim me tifozët nga Kosova, e kam kuptuar që më mijëra të tillë do të jenë në stadium për ta mbështetur fuqishëm kombëtaren kuq e zi në misionin e madh që ka, e shumë prej tyre janë të zhgënjyer për shkak se nuk kanë arritur që të sigurojnë një biletë në saje të kërkesave shumë të mëdha. Lidhja e fortë emocionale që kanë kosovarët me kombëtaren kuq e zi është e pashpjegueshme me fjalë.

Tifozë do të ketë nga të gjitha trojet shqiptare dhe kjo sipas mendimit tim, do të jetë pika e fuqishme që Shqipëria do ta ketë në anën e saj. Nëse flasim për faktorin fushë, Shqipëria është në mesin e kombëtareve më në formë për momentin dhe këtë gjë e dëshmoi edhe në ndehsjen e fundit ndaj Hungarisë. Ka rrjedhshmëri jashtëzakonisht të mirë të lojës, kjo për shkakun se shumica e  futbollistëve që po luajnë momentalisht kanë luajtur së bashku që nga grupmoshat e reja, por edhe po luajnë jashtëzakonisht mirë edhe tek skuadrat e tyre.

Po ashtu, kuqezinjtë kanë edhe atë që është më kryesori, rezultatin e ‘artë’ në pronësi të tyre. Me bindje të plotë mund të themi se Shqipëria ka luajtur shumë mirë dhe në ndeshjen e parë ndaj Polonisë, pavarësisht rezultatit që erdhi më pas. Ka fituar 5 nga 7 ndeshjet e Grupit, si dhe ka qenë madje shumë konkurruese edhe ndaj një kombëtarje siç është ajo e Anglisë. Ka shënuar 11 gola dhe ka pranuar vetëm 6, që i bie të jetë kombëtarja me më së paku gola të pranuar pas ‘Tre Luanëve’.  Të gjitha këto janë tregues i qartë i një rruge fantastike që po kalojnë kuqezinjtë, rrugë kjo që duhet të finalizohet me kualifikimin e madh, kualifikim ky që do të ishte historik dhe po ashtu një krenari e madhe për të gjithë shqiptarët anë e mban botës.

Për suksesin e arritur asesi nuk duhet të injorohet emri i trajnerit, Edy Reja, trajnerit që ka arritur që brenda grupit të rikthejë entuziazmin dhe dëshirën e madhe që e kishte humbur me trajnerin Panucci. Shqipëria e Panuccit ka qenë ‘monotone’, pa lojë të bukur, pa aksione të rrjedhshme si dhe pothuajse pa goditje në drejtim të portës. Kurse, Shqipëria e Rejas ka një ‘fytyrë të ndritur’, me skuadrën që po aplikon lojë ofanzive dhe po dominon kundërshtarë të nivelit shumë të lartë, natyrisht kjo edhe për shkak të kontigjentit të mrekullueshëm të futbollistëve që ka. Mënyra se si kjo skuadër bën presion ndaj çdo kundërshtari, tregon shumë për kompaktësinë brenda grupit si dhe profesionalizmin në kryerjen e detyrave, gjë që nuk ishte parë më herët. Për dallim nga trajneri Challandes tek Kosova, Reja e ka plotësisht në duart e tij menaxhimin grupit dhe këtë gjë po e bën mjaft mirë.

Pastaj, zëvendësimet e kryera në kohën e duhur, mjafton të kthehemi tek dy ndeshjet ndaj Hungarisë, atje ku Broja inkuadrohet në pjesën e dytë dhe del të jetë vendimtar në të dy takimet, meritë fillimisht e sulmuesit, por natyrisht edhe e trajnerit për formën se si i qaset një takimi. Mund të themi që Reja ka ndikuar tek rikthimi i simpatisë tek tifozët për kombëtaren, simpati kjo që ishte zbehur paksa në kohën e Panuccit. Kjo natyrisht jo vetëm për rezultatet e arritura, por edhe për shpirtin luftarak që kjo kombëtare po tregon në fushë. Reja erdhi në kohën më të vështirë, duke e gjetur Shqipërinë në formën më të keqe të mundshme, por arriti që me shumë punë e përkushtim ta kthej atë në mesin e kombëtareve më të mira dhe më në formë momentalisht, pa mohuar në asnjë moment edhe kontributin e madh të futbollistëve. Reja është i duhuri për Shqipërinë, cilësia e Shqipërisë është e duhura për Kampionat Botëror”, ka thënë Mërgimi, që nuk mund ta mbyllte pa komplimentuar punën e trajnerit italian, Reja.

Nga krahu tjetër Lorik Jashanica nuk mund të qëndrojë pa komplimentuar “baby Broja”. Është njeriu që na ka sjellë deri këtu dhe sigurisht që meriton të gjitha lëvdatat e mundshme, i ka legjitime. Por kryefjala e Lorikut nuk mund të anashkalohej, historia tregon se kur shqiptarët bashkohen, rivalët vuajnë, shumë madje.

“Ndeshja mes Shqipërisë dhe Polonisë vjen në momentin e duhur për ne. Jemi në eufori pas fitores ndaj Hungarisë, lojtarët janë në formë dhe në kokën e tyre ka vetëm një gjë: “Zona Play-Off”. E them se vjen në momentin e duhur pasi të gjithë faktorët pozitivë i buzëqeshin kombëtares tonë, shtuar këtu faktin që lojtarët do të mbështeten nga 22 mijë tifozë nga të gjitha trojet shqiptare. E kemi vërtetuar edhe më parë se kur shqiptarët bashkohet, kundërshtarët vuajnë, ndërsa ne triumfojmë. Shpresojë shumë që sonte të jemi ne me kokën lartë pas vërshëllimës së fundit.  Atmosfera? E mahnitshme është pak për t’u thënë. Ka vite që nuk kemi shijuar diçka të tillë. Në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni mobilizimi për përkrahje ka qenë i nivelit të lartë. Sot, rrugët të çojnë në “Air Albania” dhe kjo atmosferë që do ta shijojmë, po të kurorëzohet me fitore, s’do harrohet kurrë nga të gjithë.

Sa i përket ndeshjes, mendoj që penalizimi i madh është tek mungesat e lojtarëve kyç, Berat Gjimshiti dhe Sokol Cikalleshi. Gjimshiti është lider dhe një lojtar i cili komandon mbrojtjen, kurse Cikalleshi di të bëjë golin nga asgjë me përvojën që ka. Por, çdo e keqe ka një të mirë… Zëvendësuesit e tyre janë të uritur për të luajtur dhe mund ta dëshmojnë vetën në një ndeshje jetike si kjo. E rëndësishme është që lojtarët të mos kaplohen nga euforia, por ta marrin këtë si një ndeshje të radhës dhe të tregojnë që futbolli i bukur luhet edhe në Shqipëri, duke lënë Leëandoëakin&co me disa kujtime të pa-harrueshme nga Tirana. E kur përmendet Leëandoëaki, menjëherë vjen pyetja: Si të ndalet? Pyetje e vështirë, që edhe mbrojtësit më të mirë në botë kanë gabuar ndaj tij dhe kanë rënë nga provimi. E vështirë, por jo e pamundur, lojtarët duhet të kujdes nga ndërprerjet dhe të jenë tejet cinik në çdo shans që u ipet.

Shqipëria në Botëror? Sa e bukur duket kur e mendon, edhe më e bukur do të ishte po ta arrijmë, kurse e papërshkrueshme po ta jetojmë e shijojmë. Shanset janë dhe teksa kemi ato, atëherë duhet besim dhe “luftë” për t’ia dalur. Shqipëria ka një komponim lojtarësh me cilësi të mëdha dhe personalisht mendoj që nëse nuk arrihet “Katari 2022”, brenda dy-tri vitesh kuqezinjtë do të jenë “arrë e fortë” dhe kualifikimet në gara të mëdha s’do diskutohen. Manaj, Uzuni, Broja, Kumbulla, Ismajli, janë disa nga emrat që sot po tregojnë paraqitje të mira, por për një kohë të shkurtë do arrijnë perfeksionin, e me rritjen e tyre do rritet edhe Shqipëria. Andaj një gjë është e sigurtë, kombëtarja e Shqipërisë ka kualitet, ka ide dhe me ardhjen e Rejas ka edhe lojë të bukur për sy dhe kjo më gëzon dhe më jep shpresa që në të ardhmen do kemi edhe sukseset që i kemi kërkuar e po i kërkojmë.

Broja? I gjatë, i shpejtë, fizik, i mirë me topin në këmbë, driblues dhe me goditje “bombarduese”. Çfarë i duhet tjetër një sulmuesi? Shqipëria ka një “diamant” në ekip që e ka rritur dhe e di që e ardhmja do varet nga ai. Nuk kam parë moti një sulmues shqiptar me aftësi të tilla në fushë dhe mendoj që nëse vazhdon të punojë kështu dhe merr minuta në Premier League me Southampton, ai do bëhet sulmuesi më i mirë shqiptar i viteve të fundit, ndoshta edhe më shumë dhe do ta mbajë në shpinë kombëtaren shqiptare. Megjithatë, djali duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të punojë fortë që të shkruajë emrin e tij në histori të shqiptarëve, ndryshe s’do ia dal. Kam biseduar me njerëz të afërt me Chelsean (Nizzar Kinsella, korrespondent i “Blues”), ata i besojnë Brojës dhe Tuchel e pelqën shqiptarin. Tani i duhen minutat dhe puna që t’i bind edhe ata, sikurset tifozët kuqezi. Pra, Broja duhet të rritet. Southampton dhe Shqipëria janë mundësit ë që ai të “shpërthejë”, mbyll Loriku. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *