Ekskluzive/ “Kemi po aq humbje sa ka Tirana”! Gurishta tregon se çfarë po e penalizon Vllazninë për titullin: Në dy sezone kemi futbollin më të bukur

Vllaznia e sezonit të shkuar rrëmbeu edhe njëherë tjetër zemrat e shumë tifozëve. Lojë e bukur dhe rezultate që arriheshin, për t’i afruar shkodranët fare pranë titullit kampion. E teksa u mendua se edhe në këtë sezon do të ishin konkurrentë të fortë për vendin e parë, aktualisht Tirana po bën një kampionat më vete.

Por çfarë po e penalizon Vllazninë? Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Gurishta shprehet se barazimet e shumta kanë ndikuar për keq në renditje. Ai vendos theksin në faktin se ekipi i tij ka vetëm tre humbje, po aq sa Tirana kryesuese, ndërsa shprehet se ndeshja me Kukësin nuk ishte fytyra e vërtetë e Vllaznisë.

Shumë kritika ka pasur për ndeshjen e fundit ndaj Kukësit për lojën e zhvilluar. Kaq shpejt duhet të nisim me kalkulimin e pikëve dhe llogaritë?

Nuk ishte kjo loja që Vllaznia ka zhvilluar në shumicën e ndeshjeve. Ndoshta erdhi edhe për shkakun e mungesave të shumta. Por më shumë besoj se të dyja ekipet donin të tregoheshin cinike në momentet e duhura,

Edhe në vitet më të errëta, shkodranët janë mësuar me lojën e bukur. A duhet të mësohen edhe tifozët me paktin se loja falet nëse vijnë pikët?

Vllaznia edhe vjet edhe këtë vit është një ndër ekipet që zhvillon futbollin më të bukur. Por në këtë fazë të kampionatit që jemi, do kisha preferuar më tepër pikët sesa lojën e bukur.

A mund të arrijë Vllaznia që të marrë vendin e dytë duke parë situatën, e ka potencialin?

Sigurisht që ne do të luftojmë deri në javën e fundit dhe pastaj do të shohim ecurinë tonë dhe të ekipeve të tjera që janë para nesh në tabelën e klasifikimit.

Vjet, siç në fakt ndodhte në vitet e fundit, Vllaznia vuante çuditërisht në shtëpi dhe nuk merrte rezultatet e duhura nga presioni i tifozëve. Në këtë sezon ndodh e kundërta, ia dilni në shtëpi dhe vetëm dy fitore në transfertë. E ka kjo një shpjegim?

Në këtë sezon, si asnjëherë tjetër, kemi marrë shumë barazime edhe në ndeshjet në shtëpi, por në transfertë më tepër. Kemi vetëm tre humbje, po aq sa Tirana e vendit të parë, por këto barazimet e shumta na penalizuan.

Ndeshja e radhës me Tiranën. E premtoni mbajtjen hapur të kampionatit apo do të jetë më shumë se e vështirë misioni?

Dua të them se çdo njeri e pret me padurim këtë sfidë, lojtarët dhe tifozët. Është klasikja e Shqipërisë dhe ndeshje të tilla e bëjnë më të bukur kampionatin. Ne do të japim gjithçka nga vetja jonë për t’ia dalë me sukses në këtë sfidë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *