Deri në fund të sezonit të shkuar Luftëtari ishte “hirushja” e Superiores, një skuadër simpatike, me lojtarë të shkëlqyer dhe një ambient të qetë. Probleme me pagat ka pasur gjithmonë, por janë zgjidhur në një farë mënyre dhe kualifikimi për në Europa League u vuri kapak shumë gjërave, sepse u arkëtuan shifra të rëndësishme, edhe pse UEFA paguan një vit më pas. Megjithatë, në verë u larguan Bregu e Abazaj, disa lojtarë u shpallën të panevojshëm dhe klubi u bë çorap, me afrimin e një trajneri të huaj dhe shumë lojtarëve të rinj, çka prishi totalisht ekuilibrat.
Më pas erdhi ndeshja e Europa League kundër Ventspils në Elbasan, që është nën hetim nga UEFA për trukim dhe nuk është çudi që edhe paratë e pjesëmarrjes në Europa League të digjen.
Tani vjen edhe një lajm tjetër “bombë” nga Gjirokastra, sepse situata brenda klubit gjirokastrit është kaotike për shkak të pagave të prapambetura. Flitej prej kohësh për vonesa, por “Sport Ekspres” zbulon nga burime brenda skuadrës se lojtarët nuk paguhen prej 5 muajsh!
Atmosfera në ekip është shumë e rëndë dhe lojtarët janë të zhgënjyer nga mashtrimi i klubit, sepse ka pasur disa premtime për shlyerje, aq sa edhe para ndeshjes kundër Laçit u premtuan para që nuk u dukën.
Tashmë pjesa më e madhe e lojtarëve të Luftëtarit kanë vendosur të ndërmarrin një hap të madh: nesër, në sfidën e kampionatit kundër Flamurtarit, duan të dalin në fushë 30 minuta me vonesë, si protestë që do të shërbejë vetëm si paralajmërim, sepse më pas do të ketë bojkot total.
Duke qenë se tashmë janë kaluar gjithë afatet ligjore, lojtarët e Luftëtarit mund të largohen menjëherë dhe të dalin të lirë në treg, por natyrisht qëndrojnë me shpresën se do të paguhen, pa përfunduar gjyqeve, në FSHF e FIFA, pasi do të ketë vonesë pa fund.
Ka edhe lojtarë që e kanë me frikë këtë hap, por pjesa më e madhe e ekipit e ka vendosur dhe vetëm ndonjë reagim urgjent i presidencës së Luftëtarit mund të evitojë bojkotin e ndeshjes së radhës, qoftë edhe për 30 minuta, çka në teori duhet të sjellë ndëshkim për Luftëtarin, me një gjobë të majme nga Federata Shqiptare e Futbollit.