Ekskluzive/ “Jemi befasuar me Shqipërinë dhe e treguat me Spanjën”! Gazetari nga Izraeli: Nuk kam dyshime për Brojën, uroj të mos shpërtheni tani

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria do të përballet kundër Israelit në atë që quhet finalja e madhe për Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë nuk e kanë një tjetër rrugë për të mbërritur në vendin e parë përveç fitores, çdo rezultat i dytë do e nxirrte përfundimisht nga gara dhe takimi me Islandën do të ishte i pavlerë. Ndërkohë Izraeli luan ndeshjen e fundit me Shqipërinë dhe nuk e ka një tjetër takim, duke pasur kështu mundësinë për të dhënë gjithçka nga vetja dhe pa rezerva.

A do ia dali Shqipëria? Mungesat janë të rëndësishme nga të dy kampet. Nëse Kombëtares tonë i mungon Kumbulla dhe Gjimshiti nga titullarët, në krahun tjetër duhet të përmendim mungesa si Zahavi, Dabbur apo Solomon nga hera e fundit që jemi përballur me ta. Praktikisht Izraeli nuk ka luajtur kurrë pa ndonjë prej këtyre sulmuesve në vitet e fundit dhe do të eksperimentojë me kuqezinjtë, tërësisht i detyruar.

Por si shihet situata në kampin e tyre? “Sport Ekspres” ka intervistuar një nga gazetarët më të njohur në Izrael, Liav Nachmani, për të dhënë panoramën e tij mbi ndeshjen. Gazetari izraelit ka pasur vlerësime të mëdha për Shqipërinë, por uron që shpërthimi i madh nga lojtarët që luajnë në kampionate të njohura, të mos vijë të shtunën.

Keni fituar në Shqipëri dhe po kryesoni grupin. Si është atmosfera në kampin tuaj dhe sa pozitive shihet situata, duke marrë parasysh që keni edhe vetëm një finale për të luajtur?

Atmosfera është e mirë sepse Izraeli ka një mundësi të shkëlqyer për të dalë në vendin e parë. Nuk ka ndodhur shumë herë në të shkuarën tonë, prandaj ne e kuptojmë rëndësinë e kësaj situate dhe duhet që ta rrëmbejmë këtë shans. Është vetëm një ndeshje, si një finale e madhe për ne. Por ju duhet të kujtoni se edhe barazimi është i mjaftueshëm për ne këtë herë.

Ka ndodhur edhe më parë që Izraeli të fitojë në Shqipëri dhe të mundet në shtëpi nga Shqipëria. A ekziston frika se mund të përsëritet një gjë e tillë nga vetë lojtarët apo janë të bindur te suksesi?

Askush këtu nuk mendon për këtë. Situatat janë të ndryshme. Në atë kohë, Izraeli ishte shumë i mirë në Shqipëri, por kishte probleme të mëdha para ndeshjes së dytë në Izrael. Këto probleme që kanë sjellë përfundimisht edhe largimin e trajnerit të Kombëtares tonë pas asaj ndeshje. Sot situata është ndryshe, nuk është e njëjta.

Në Shqipëri e shohin si dështimin më të madh nëse Kombëtarja jonë nuk arrin të marrë vendin e parë për shkak se si asnjëherë më parë në histori, kemi lojtarë në kampionatet më të rëndësishme në botë. E shikon edhe ti Shqipërinë po kaq kualitative?

E shohim Shqipërinë si një kundërshtar cilësor. Ne folëm shumë për ju pasi u mundët ngushtë nga Spanja. Ne kemi qenë shumë të befasuar nga rezultatet tuaja deri tani. Kur ka kaq shumë lojtarë të mirë, në një moment do të shpërthejnë, kështu që shpresojmë që kjo të mos ndodhë në ndeshjen e ardhshme. Edhe Izraeli ka shumë lojtarë të mirë tani, por problemi është se disa prej tyre nuk do të jenë atje të shtunën. Solomon i dëmtuar, Monas Davbor u tërhoq nga Kombëtarja. Tashmë nuk do të jetë as Eran Zahavi për shkak të problemeve me trajnerin. Kemi problemet tona para kësaj ndeshjeje të rëndësishme.

Cfarë po ndodh me Eran Zahavin? Mesa kemi parë në disa pasqyrime, po shihet si “tradhtar” për mungesën e tij ndaj Shqipërisë?

Eran Zahavi nuk është më lojtar i kombëtares izraelite. Nuk kemi një golashënues tjetër në nivelin e tij. Le të jemi të sinqertë, kush e ka? Haland apo Benzema nuk luajnë në Kombëtare si Izraeli apo Shqipëria. Ndjenja në Izrael është se të gjithë e shohin gabim Eran Zahavin dhe ai duhej të gjente një mënyrë për të qenë në skuadër. Nëse Izraeli fiton, askush nuk do ta kujtojë atë. Por nëse jo, historia do të bëhet më e madhe.

Armando Broja është shpresa e vetme e Shqipërisë për një sukses në Israel. E keni parë këtë futbollist te Chelsea dhe sa rrezik mendoni se mund t’ju sjelli, është i aftë për të bërë diferencën i vetëm?

Nuk ka dyshim se Armando Broja është një lojtar i shkëlqyer. Por realisht mendoj se Shqipëria ka disa lojtarë të mirë përveç tij. Ne ishim shumë të befasuar që mbrojtja juaj u paraqit keq në ndeshjen e parë. Ka gabuar mbrojtësi i Atalantës, kush na siguron se do të ndodhë edhe të shtunën?

Përtej tifozerisë dhe ndjenjave, ku gjithë secili kërkon një fitore të vendit të tij, cili mendoni se do të jetë rezultati i këtij takimi duke marrë parasysh edhe mungesat me peshë, Eran Zahavi dhe Solomon te ju, Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla te ne?

Kjo është një situatë shumë e vështirë. Nuk ka pasur ende një situatë që të mos luajnë Zahavi, Solomon dhe Dabbor te Israeli. Do të shohim lojtarë të tjerë. Përveç Liel Abada, sulmi ka ndryshuar plotësisht. Loja e Izraelit do të jetë krejtësisht ndryshe. Mendoj se barazimi është një rezultat real. A është i mirë ky rezultat? Përgjigja është jo. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online