Ekskluzive/ “Investoni në ekip, jo në gjëra të tjera”! Munishi: Tirana në grupet e “Championsit?” Vetëm Skënderbeu mundej…

Nga Klaudio Ndreca

Ismet Munishi, është ky trajneri shqiptar më protagonist në elitën e futbollit të Kosovës. Sukseset janë arritur në kampionat me rezultatet e mara, megjithëse Ballkani nuk arriti që të fitonte titullin kampion duke u renditur vetëm një pikë larg vendit të parë, Dritës.

Por nga Ballkani kanë dalë shumë futbollistë të rinjë që kërkohen nga ekipet më të mira të Europës dhe kjo është një tjetër arritje që i atribuohet Munishit. Një stil të veçantë ka ky trajner edhe në intervistat pas ndeshjeve, duke marrë gjithmonë rolin e protagonistit pasi flet hapur dhe pa asnjë ndrojtje të vetme.

Në një kampionat si ai i Kosovës ku pati shumë diskutime për pastërtinë e garës, që shpërtheu edhe me dhunën në rastin e Prishtinës, Munishi i jep këshillën të gjitha ekipeve që paratë e tyre t’i shpenzojnë në merkato dhe jo në “gjëra të tjera”. Në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres” nuk mund të mungonte edhe një mendim në lidhje me kampionatin shqiptar, ku sipas trajnerit të Ballkanit pafajësia e Skënderbeut do ta dërgonte Superioren në nivelet më të larta për konkurrencën.

Kampionati në Kosovë është mbyllur dhe nuk duam t’i kthehemi një historie të vjetër. Por nga larg dukej se Ballkani dhe Gjilani i dhanë tonin Superligës dhe në fund askush prej tyre nuk u shpall kampion. Sipas Munishit, Kosova e nxori një kampion të merituar për sezonin 2019-2020 apo një kampion aksidental?

Nuk dua të kthehem te kjo pikë. Por tani jemi në pikën e fillimit të sezonit dhe ekipet është më mirë që të investojnë të bëjnë skuadra të mira që të kemi kompeticion të fortë sesa të investojnë në gjëra të tjera. Kjo është ajo që mendoj unë dhe nuk dua që të kthehem prapë për të folur rreth atyre gjërave që jam shprehur përgjatë kampionatit.

Jeni një trajner ndryshe në Kosovë dhe për këtë meritoni përgëzime, jo vetëm për suksesin në fushën e lojës, por keni edhe natyrën e protagonizmit edhe jashtë saj. E keni menduar ndonjëherë se kjo mund t’ju penalizojë që arbitrat të jenë më të egër ndaj ekipit tuaj? Pra një fjalë më shumë e thënë në deklarata, të kthehet me efektin bumerang?

Besoj se kur i them disa gjëra në lidhje me fenomenin, atëherë i parandaloj ato, për këtë arsye edhe flas. Sidomos kur bëhet fjalë për arbitrimin. Por në sezonin tjetër absolutisht që nuk do të merrem prapë me këto gjëra, do të merrem vetëm me ekipin tim, pjesa tjetër nuk më intereson.

Blendi Baftiu, një thesar që ndodhet në Ballkan, te ai i Kosovës. Vetë jeni shprehur se nuk shkon te Rapidi dhe se mbani sekretin e emrit. Mund të na thoni vetëm a është një ekip më me shumë histori se skuadra në fjalë?

Skuadra e Ballkanit vazhdon të jetë perlë në kampionatin e Kosovës, një minierë ari. Kjo me lojën që ka treguar, por edhe mundësinë që i’u ka dhënë lojtarëve të rinjë. Njëri prej tyre është edhe Baftiu që ka oferta shumë të mira dhe njerëz shumë serioz që punojnë për të. Janë menaxherët Shkumbin Qormemeti dhe Haris Fakiç që merren me të. Të gjitha ekipet që kërkojnë  Baftiun janë me histori shumë të madhe.

Po Superioren në Shqipëri e keni ndjekur? Trajneri kampion i Tiranës, Egbo, është shprehur se kërkon historinë e madhe që nuk e ka bërë askush nga klubet shqiptare, për të mbërritur në “Champions League”. E shihni të mundur që vendi ynë të shkojë kaq larg?

Në grupet e “Champions League” ka qenë vetëm një skuadër që mund të mbërrinte. Ajo skuadër ishte Skënderbeu, sepse kishte një ecuri dhe krijoi traditë shumë të mirë në Europë. Besoj dhe shpresoj se Tirana të shkojë sa më larg, por grupet e “Champions League” ende nuk janë të mundura për ekipet shqiptare.

Keni miqësi të ngushtë edhe me presidentin Ardjan Takaj, njeriu që arriti historinë e madhe me Skënderbeun në grupet e “Europa League”. Keni biseduar së fundmi së bashku, pasi kjo skuadër pret vendimin përfundimtar nga Gjykata Federale?

Po e vërtetë, kemi miqësi të hershme me Takajn. Uroj që t’i hiqet dënimi skuadrës dhe Skënderbeu të kthehet në nivelet që ka qenë. Vetëm imagjinoni një Superiore me Skënderbeun e fortë, me Kukësin, me Tiranën, me Partizanin dhe sigurisht Teutën që ka bërë një sezon fantastik. Vetëm imagjinoni se çfarë kampionati do të ishte me të gjitha këto ekipe të forta. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *