Kristal Abazaj ka zgjedhur që të firmos për Tiranën në Superiore. Me Xhixhën që duket i larguar drejt Karabakut, Kristali do të sigurojë bardheblutë se nuk kanë humbur asgjë në cilësi. Sport Ekspres ka arritur të marrë një prononcim nga lojtari pas prezantimit në kryeqytet.
Ashtu siç e shprehu edhe drejtori Osmani, përpos faktit se do të luajë për këtë fanellë, Abazaj është tifozi i parë i Tiranës. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore se përse nuk do të tundohej nga asnjë ekip tjetër në Superiore.
“Të jem i sinqertë, e kam thënë gjithmonë kur jam pyetur se për cilën skuadër bëj tifoz, e kam shprehur se është Tirana. Kemi qenë disa herë në prag të arritjes së bashkëpunimit me Tiranën, por nuk është realizuar për arsye të ndryshme.
Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur dhe nuk do të tundohesha nga asnjë ekip tjetër i Superiores. Më bindi projekti i klubit dhe thashë pse jo… Dua të kontribuoj dhe të nxjerr ekipin tim kampion. Tirana kishte kohë që më ndiqte dhe kanë qenë njerëz të ndryshëm që më kanë kontaktuar. Këtë herë dëshira ishte e përbashkët. Unë do të jap më të mirën për të ndihmuar Tiranën”, tha Abazaj. /Sport Ekspres/