Ekskluzive/ “Gjici ndoshta ka menduar për premio”, Musta ndez sfidën me Tiranën: Nuk do e kenë të thjeshtë!

0

Nga Klaudio Ndreca

Kukësi do të ketë përballë Tiranën në kryendeshjen e javës së 32, e cila mund të vendosë edhe titullin kampion. Në rast se verilindorët do të humbasin në këtë takim, atëherë do të marrë fund edhe fati i këtij sezoni.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Emiljano Musta ka folur duke treguar edhe ambientin e verilindorëve. Si një ndeshje të radhës e shohin te Kukësi, ndërsa presin edhe një premio nga presidenti Gjici, për të dhënë një motivim ekstra. Gjithashtu Musta ka prekur edhe pak për të ardhmen, ndërsa po skadon kontrata e tij te skuadra e Kukësit.

Kur i kthehesh mbrapa dhe sheh të gjitha ndeshjet e Kukësit në këtë sezon, ka marrë ky ekip maksimumin e tij?

Kemi luajtur një sezon të gjatë dhe të lodhshëm. Kur kthen kokën mbrapa është për të ardhur keq pasi kemi bërë disa hapa të gabuara dhe kemi lënë pikë të panevojshme.

Cili është pengu juaj për një hap të gabuar, që mund të ketë vendosur fatin e kampionatit?

Do të thoja se pengu ynë janë disa ndeshje, pasi filloi faza e dytë dhe ne ishim në vendin e parë. Ndoshta ka dikur edhe pak fati, ndërsa disa episode në minutat e fundit na kanë kushtuar shumë deri tani që ne flasim.

Për të kaluar te ndeshja e radhës ndaj Tiranës. Si po përjetohet nga skuadra kjo ndeshje?

Po e trajtojmë si një ndeshje të radhës. E dimë që luajmë kundër Tiranës, që është rivali direkt për titull, por tre pikëshi është i njëjtë ndaj çdo kundërshtari.

Do të ketë premio nga Gjici apo shihet si një “detyrë shtëpie” për ju?

Nuk e di se çfarë ka në mendje presidenti pasi për ne është ndeshje e radhës ndaj një rivali direkt. Por Gjici është i paparashikueshëm dhe mbase ka menduar për ndonjë motivim ekstra.

Në kampin e Kukësit kemi dëgjuar edhe për “fitoret e çuditshme” të Tiranës. Nëse Tirana fiton ndaj Kukësit, do të mbylleshin të gjitha këto etiketime për fitoret e bardhebluve?

Nuk kam koment për ndeshjet e Tiranës pasi nuk merrem me fitoret e kundërshtarit. Flas vetëm për skuadrën time dhe normale që nëse fitojnë kundër nesh do e sigurojnë titullin. Por nuk e kenë aq të thjeshtë sepse ne e dimë rëndësinë e takimit dhe do japim maksimumin për ta fituar.

E ardhmja e Emiljano Mustës, ku do të jetë?

Sa i përket të ardhmes nuk e kam vendosur ende. Kontrata ime përfundon në fundin e sezonit dhe jam i përqendruar te takimet e mbetura. Nga klubi kam pasur kontakte për të rinovuar përsëri, por jam kontaktuar edhe nga ekipe të tjera. Unë do të ulem në fillim të flas me Gjicin pasi ky është parimi që kam si njeri. /Sport Ekspres/

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.