Nga Klaudio Ndreca
Gjithmonë kemi treguar rastet e suksesshme të shqiptarëve në fushat e ndryshme të sportit, ku ne ndiejmë krenari. Por po kaq shumë të mbush edhe kur dëgjon se në zemër të Pragës, në sheshin kryesor, dominojnë po…shqiptarët.
Pikërisht në vendin ku u organizuan të gjithë tifozët tanë që po qëndronin së bashku, duke kënduar dhe kërcyer, në restorantin e quajtur “Bar Resturant Orloj”. Në katet e mësipërme ndodheshin zyrtarët e FSHF dhe presidentët e ekipeve shqiptare, ndërsa në katin e parë gumëzhinin tifozët shqiptarë.
Një restorant 5 katësh në qendër të Pragës dhe mbi të gjitha, me pronar shqiptar. “Sport Ekspres” ka folur pikërisht me njeriun e parë të vendit që u kthye në “parajsën” shqiptare në Çeki, me pronarin e këtij restoranti, Lorenc Hysi.
Fillimisht e uruam dhe ndamë me të ndjesinë e mirë që na dha kur mësuam se pronari i këtij restoranti ishte shqiptar. Jo vetëm kaq, por të gjithë punojësit në këtë vend ishin shqiptarë, nuk kishte të asnjë shtetësie tjetër.
Lorenci tregoi se kishte edhe disa pika të tjera restorantesh, si për të vazhduar “pushtimin shqiptar” të Pragës dhe për të dëshmuar se ne jemi një popull i vogël, por i suksseshëm kudo që shkojmë, për t’u kthyer në zotërit e atyre vendeve.
“Kam 26 vite në Pragë dhe jemi në pronësi të këtyre restoranteve prej 10 vitesh. Kemi disa pika të tjera që janë po në pjesën qëndrore, përveç këtij investimi të ri që ka rreth 3 vite. Këto 3 ditë feste që ishin, po rrija edhe vetë te restoranti, nuk ndodh në herët e tjera.
Ne u përgatitëm shumë më para që të krijonim një pikë mbledhje për shqiptarët se këtu nuk ka shumë hapësira. Dhe kështu vendosim që të shfrytëzonim pozicionin këtu që kemi, të ishim të organizuar. Mora këtë vendim, që restorantin ta dedikonim për tifozët shqiptarë. Kishte turistë të huaj që iu bashkuan festës sonë. Ishte hera e parë për mua që shikoja një skenë të tillë. Po flas për mua që para pak kohësh kam parë edhe finalen e Conference League që u organizua këtu, Fiorentina-Ëest Ham. Këtu erdhën tifozët anglezë, por turistët janë habitur dhe iu bashkuan festës shqiptare pasi shqiptarë treguan një nivel të lartë qytetarie, kjo i çuditi të gjithë.
Dihet që “Bar Restaurant Orloj” ndodhet në sheshin kryesor të qytetit, në qendër të Pragës. Unë kam takuar shumë shqiptarë, jam habitur pas vinin nga Kanada, Amerika, Suedia, shumë prej tyre vinin nga këto vende. Ne kemi në staf të gjithë shqiptarë. Ishte edhe kjo një arsye që vendosëm që organizimin ta bënim këtu.
Kështu organizimi bëhej më lehtë për komunikimin dhe njëkohësisht i mbanim ndezur ndjenjën e tyre. Gjithashtu na vinin shumë tifozë nga Amerika, i ndihmonim që edhe të printonin biletat e ndeshjes.
Restoranti është me 5 kate, në katin e dytë kishim kryesinë e Federatës dhe presidentët e klubeve shqiptare. Kemi thyer edhe orën policore. Këtu ka një orë policore deri në 12, por ne kemi marrë leje dhe kemi mbajtur përgjegjësitë tona për ato që mund të ndodhin. Por shqiptarët treguan nivel të lartë qytetarie dhe ne do të mbesim gjatë me kujtimet e kësaj feste. Siç të thashë, jam befasuar me këtë ndjenjë të lartë atdhedashurie”, tha Hysi.
E teksa e pyesim për kënaqësinë që i dha ndeshja, pasi ishte mes tifozëve të Shqipërisë në stadiumin e Pragës, Lorenci na e përshkruan gjithçka në pak fjalë, me zërin e ngjirur: “E dalloni vet nga zëri, çfarë t’ju them më shumë unë”. Po sa i përket birrës çeke, që shqiptarët e konsumojnë jo pak? Edhe këtu Lorenci na shuan kureshtjen: “Ata që e provuan i dhanë vlerësimin maksimal, është më e mira në botë. Sa konsumuan shqiptarët? Pinë aq shumë, sa një moment menduam se na mbaroi birra”, tha Hysi duke qeshur. /Sport Ekspres/