Ekskluzive/ Flet babai i Keidi Bares: Kritikat e Hafizit? Çudi, pjesë e Shqipërisë që 15-vjeç

Thuhet se në jetë sakrifica dhe puna e madhe, herët a vonë gjithmonë do të shpërblehet, në një mënyrë apo në një tjetër. Sigurisht që për të arritur në majën më të lartë nuk është kurrë e lehtë dhe duhet të marrësh disa vendime, që mund të shkaktojnë shumë dhimbje të përkohshme në rrugëtim.

Kjo është edhe historia e Keidi Bares, mesfushorit të momentit te Kombëtarja. Do të largohej nga familja e tij që në moshë shumë të hershme, duke sakrifikuar për ëndrrën e madhe që të bëhej futbollist.

Pa e ndierë pranë dashurinë e familjes, jeta do e forconte së tepërmi në një moshë fare të re. E lehtë? Nuk kishte për askënd, për më tepër për familjen e tij. Por babai, Artani, një futbollist i njohur gjatë periudhës kur ka luajtur në fushën e blertë, ia lejonte djalit të tij një sakrificë të tillë. Sot, krenohet me të!

Fundja, e gjitha kjo ia vlejti. Në mes të 80.000 spektatorëve në Francë, Bare dallon nga të gjithë lojtarët e tjerë të Shqipërisë duke “vallëzuar” me topin në fushë. Më i miri në atë humbje të thellë, për të mos ndierë asnjë frikë të vetme edhe pse kishte emra si Grizman&CO.

Dyshimet kanë qenë të mëdha në Shqipëri, edhe nga opinionistët që qendrojnë 24 orë në televizione duke kritikuar trajnerin Reja për rinovimet e munguara, por që kur këto vijnë, nuk pranohen. “Sport Ekspres” ka siguruar edhe një intervistë me babain e Keidi Bares, Artan Baren, për të folur më tepër rreth historisë së këtij ylli të ri:

Keni qenë edhe vetë një futbollist. Kushtet dhe mundësitë kanë ndryshuar. Si e sheh Keidin tani dhe kur kujton periudhën kur ke luajtur vetë?

Po është e vërtetë! Unë kam luajtur 19 vite, kushtet kanë ndryshuar për mirë duke bërë krahasim me periudhën time. Pastaj kur e krahasojmë me këtë periudhën e Keidit, gjërat kanë ndryshuar ekstremisht shumë duke filluar nga mënyra e të trajnuarit, nga përgatitja, infrastruktura, ka shumë evoluim. Keidi në syrin tim është një djalë serioz në punë dhe që përkushtohet me mish dhe me shpirt për të arritur objektivat që ka në kokë. Është djalë me ambicie dhe kjo më pëlqen te ai më së shumti.

Bare nga minuta e parë ndaj Francës. Si ishin emocionet në familjen tuaj?

Të them të drejtën kur mora vesh që do të ishte pjesë e formacionit titullar, normalisht që u ndieva mirë, si çdo prind. Emocionet ne i përjetojmë si familje sepse e kemi ndjekur që në hapat fillestar të tij. I them gjithmonë të bëj më të mirën dhe besoj shumë në aftësitë e tij, kjo është ajo që i përsëris gjithmonë.

Dhe e përballoi në mënyrën më të mirë. Ka ndikuar edhe rritja te të rinjtë e Atletiko Madridit?

Shiko, Keidi është larguar që në moshën 11-vjeçare mes shumë sakrificave. Ai arriti të luante te Panathinaikosi, ato 4 vite ishin edhe fillimet e tij. Më pas kaloi 6 vite te Atletiko Madridi, atje ku nisi edhe historia e vërtet drejt suksesit. I ka shërbyer shumë për mirë padyshim.

Por ka pasur edhe shumë dyshime e kritika nga opinionistët në Shqipëri, Hafizi një prej tyre. Cili është reagimi juaj?

Po e kam dëgjuar me vëmendje profesor Hafizin dhe të them të drejtën, nuk jam ndierë aspak mirë. Duke u bazuar nga ajo çfarë ka dhënë Keidi gjatë gjithë këtyre viteve, më është dukur pak çudi. Por nuk gjykoj mendimet e askujt. Që në moshën 15 vjeçare ka qenë pjesë e Kombëtares, ndërsa nëpër vite i shtohej edhe më shumë dëshira për të veshur fanelën dhe ia ka arritur qëllimit. Krenohem me të!

Cilat kanë qenë vështirësitë që ju si prind keni ndjerë për formimin e Keidit. U largua herët nga familja mesa përmendët…

Vështirësitë janë të panumërta, aqsa nuk do të mjaftonte vetëm kjo intervistë. Jo sepse po flas për djalin tim, por është djali i mbarë. U largua shumë herët nga familja, kjo ka qenë vështirësi për atë dhe për ne. Por çdo gjë tani është hedhur pas krahëve dhe ne po shijojmë sukseset që po arrihen. Do të jemi gjithmonë mbështetje për të, në çdo hap që hedh në jetë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online