Ekskluzive/ “Elseid Hysaj e shkel topin si në kalçeto, ta ndalon me takë”! Alliu: Silvinjo t’i gjejë zëvendësuesin, duhet t’i tregojë edhe Cikalleshit se ajo që bëri ishte…e ndaluar

Shqipëria arriti të fitonte dy takimet e muajit qershor duke mbyllur detyrën me sukses. Por përtej fitoreve ndaj Ishujve Faroe dhe Moldavisë, ajo që ngroh më tepër është loja dhe padyshim dalja protagonist e shumë elementëve që gjithmonë i kemi përfolur në media, por asnjëherë nuk kishin bërë dallim te Kombëtarja.

Në një intervistë dhe analizë të gjatë për “Sport Ekspres”, ish-futbollisti i Kombëtares, Ilir Alliu, ka folur edhe njëherë tjetër hapur dhe pa kursyer asgjë, duke i dhënë zë mendimeve të tij. Për Silvinjon nuk ka asgjë më tepër sesa komplimente dhe kjo nuk lidhet fare me dy fitoret, filozofia e lojës vjen në rend të parë. Gjithashtu Alliu e ka një shpjegim edhe pse Myrto Uzuni nuk u paraqit ashtu si të gjithë e prisnin kundër Moldavisë.

“Më la shumë shije positive. Unë ju thashë dhe më parë që nuk më intereson fare rezultati, dua të shoh sesi shkojmë ne te rezultati. Ka një progres të jashtëzakonshëm në këto ndeshje, Silvinjo ka punuar me qarkullimin e topit, me punimin e topit, që mbetet të verifikohet me Cekinë. Shqipëria ka profiling e saj tani, nuk pritet të jetë perfekte, askush nuk bën dot magji, por Kombëtarja po ndërton aksione, ka llogjikë loje për të shkuar te goli dhe këto nuk i kemi parë në ndeshjet e tjera.

Pa e parë ndeshjen e tretë me Cekinë, i them bravo Armand Dukës, e ka goditur këtë herë me Silvinjon. Ndryshe nga ai tjetri që erdhi në Shqipëri për të marë pensionin, Reja, Silvinjo është super goditje. Ky trajner ka pasionin e madh dhe etje për karrierë, po ta shikonit nga kamera e televizionit dje, ishte gjithë kohën intensive duke komunikuar me lojtarët dhe duke i dhënë këshilla, me gjuhën e trupit.

Sigurisht kjo sa këta futbollistë të kuptojnë stilin e tij pasi më mbrapa do të jetë më i qetë. Goli i tretë për mua ishte më i bukur pasi ishte një aksion model. Ne kemi krijuar 10-12 raste për të shënuar, kemi luajtur futboll edhe në kohën e De Biazit, por 12 raste i bënim në të gjithë eleminatoret. E thashë edhe më parë te ju, unë dua që Shqipëria të dali 3-4 herë në sulm në të njëjtën mënyrë. Fati mund të lërë në dy apo tre raste, por pastaj goli do të vijë. Kjo ka ndodhur edhe këtë herë.

Përshembull, unë isha duke parë Kosovën. Po dominonin rivalin me mbajtje topi, por shkonin në sulm komplet të ç’organizuar, dukej që trajneri nuk kishte dorë fare. Të gjithë kapnin topnin, iknin para vetëm ta zgjidhnin situatën, komplet pa ide. E dija që do të humbisnin edhe kur ishin në dominim.

Kjo nuk ndodh te kjo Shqipëri. Pavarësisht se humbëm penalltinë dhe se Ishujt Faroe na shënuan në fund, nuk kisha fare frikë se do të dështonim apo humbisnim, dukej që fitorja ishte vetëm çështje kohe. Nëse ti krijon 12 raste për gol, atëherë goli do të vijë. Jo si më parë që kur humbte një rast Shqipëria, vendosje dorën në kokë dhe thoje me vete: “O zot i madh, prit rastin tjetër pas sa vitesh do ta kemi”.

Kjo është e mira kur ti merr një trajner që ka qenë lojtar i madh më para pasi presionin e transmeton në vëmendje ndaj detajeve. Silvinjo e di shumë mirë që një ekip i vogël të hap më shumë punë se një ekip i madh, ku ekipi është vetë i karikuar.

Uzuni? Nuk do të jetë ndonjëherë golashënues i Shqipërisë. E kam thënë që është tjetër gjë kur luan në ligë të dytë të çfarë do shteti në botë dhe tjetër gjë me Kombëtare. Është tjetër gjë kur ti luan ndaj një ekipi të dobët atje në atë kampionat dhe tjetër me një Kombëtare të dobët. Sepse Kombëtarja, sado e dobët të jetë, merr dhe grumbullon mbrojtësit më të mirë të shtetit të saj, ndërsa klubi ka ata futbollist, nuk i përzgjedh dot si Kombëtarja.

Për mua ka një problem te Uzuni. Është lojtar i shkëlqyer, punëtor, vrapon shumë, por nuk ka kapacitetin teknik dhe të cilësisë për të bërë Brojën. Pra t’i kërkon tjetër gjë nga Uzuni dhe tjetër gjë kërkon nga Broja. Uzuni i humb vlera kur do të dali mbi atë që mund të bëjë, i ikën edhe ajo që mundet të bëjë në fakt. Kjo ndodhi me Moldavinë, aty Uzuni e kërkonte golin me patjetër se kishte shënuar te Granada. Kjo e dëmtoi atje, jo dalja te emisioni “Opinion”. Prandaj Uzuni e humbi edhe atë që kishte me Moldavinë, po ta shikonit, nuk po i vendoste në pozitë të mirë as shokët e ekipit për të shënuar, donte të realizonte gol me patjetër. Ndërkohë me Ishujt Faroe bëri detyrën e tij, pasoi dhe Muci arriti të realizonte”, tha Alliu.

Nga ana tjetër, ish-lojtari i Kombëtare nuk ngurroi që të kritikojë Cikalleshin për mënyrën sesi reagoi dje për mungesën e golit, ndërsa për Hysajn, Alliu mendon se Silvinjo duhet t’i bëjë gati zëvendësuesin. “Trajneri duhet të merret pak me rastin e CIkalleshit. Humbja e penalltisë së tij nuk ishte rastësi. Unë kam respekt të madh për këtë sulmues për gjithë kontributin që po jep në Kombëtare. Por e kërkoi golin edhe në mënyra jo të përshtatshme. Krijoi tension për mungesën e golit, i vendosi qëllim vetes që duhej të shënonte me patjetër.

Nëse realizohej ajo penallti, do të vriste ndeshjen dhe do të ishim të qetë. Silvinjo duhet t’i tregoj që Shqipëria është më e rëndësishme përpara se të shënojë një individ sepse ndeshja nuk ishte mbyllur ende atëherë. Sigurisht, këtë nuk duhet ta bëj me kritika në publik, duhet ta thërras veçmas dhe t’ia bëjë të qartë që në vazhdimësi kjo dëshirë e tepruar për të shkuar te goli është: “E NDALUAR”.

Pastaj prova e së vërtetës për mua është Elseid Hysaj. Mund ta kem gabim fare, por pesha e Silvinjos për mua do të shihet edhe te Elseid Hysaj. Ose duhet ta transformoj këtë lojtar ose duhet ta gjej sa më shpejt zëvendësuesin e tij. Unë shoh një harmoni të madh te Shqipëria, shoh lojtarë që luajnë vetëm me dy takime dhe loja rrjedh me shpejtësi të madhe. E keni vënë re Berat Gjimshiti? Nuk është më ai i pari që jep topa të gjatë dhe e mban topin shumë për të treguar që është Gjimshiti i Atalantës. E ka prekur topin pafundësisht në këto dy takime dhe e pasonte direkt te shoku që e kishte më afër.

Por të gjithë këtë harmoni të krijuar nga Silvinjo, për mua Hysaj e prish. Ka një difekt të madh me pasimin e thjesht, dje përsëriti të njëjtat simptoma si në vitin e shkuar, nuk ka stabilitet. Kemi bërë dy ndeshje me rivalë të dobët në letër dhe nuk bëri dy ndeshje me të njëjtin standart, ndryshe me Moldavinë dhe ndryshe me Ishujt Faroe. Do të them diçka që specialistat mund të ma kuptojnë më mirë.

Hysaj nuk e ndalon kurrë topin me trin të jashtme, trin të brendshme, e ndalon topin me taka, pra e shkel topin. Kjo ty të jep pasiguri, të humbet kohë që me Silvinjos është shumë e rëndësishme që mos të ndodh. Topi me taka ndalohet vetëm në kalçeto. Për më tepër që është dhe kapiten e shkakton konfuzion të madh.

Kemi një futbollist që na vjen nga La Liga në atë krah për fat të madh. Hysaj nuk është as sa gjysma e Mitajt. Mitaj? Në fakt çdo trajner në botë me dy mend në kokë do ta donte në ekip. Ka përgatitje teknike të paparë, një prekje natyrale të topit, një orientim i qartë në fushë, karakter, di shumë mirë ku i ka limitet e veta dhe nuk merr përsipër gjëra që nuk i bën dot, fantastik, për mua është lojtari me rendimentin më të madh në këto dy ndeshje me 95% saktësi.

Silvinjo ka disiplinuar edhe mbrojtësit, po luajnë me topin poshtë, kështu mesfusha merr frymë dhe del më mirë në lojën e saj. Kemi fituar edhe një lojtar si Muci. Në gjuhën futbollistike, ky lojtar të jep epërsi numerike, për mua është lidersi i së ardhmes. Ka një qasje edhe me shumë përulje.

Unë jam optimist që ky stil loje i shkon përshtat Armando Brojës se e vë në pozita pune për golin. Cikalleshi është një lojtar që kërkontë fitojë topin, është i papar në duele fizike, në luftën sportive. Por Broja e do topin në këmbë ose në hapësirë dhe të jetë me fytyrë nga porta, më pas ai futbollist bën namin. Ky stil loje i Silvinjos i shkon fiks për shtat. Më vjen keq që nuk ishte në këto dy ndeshje pasi ishin tipike për të. Duam apo nuk duam ne, shpresat tona varen nga ky lojtar pasi të mbyll ndeshjen, nuk kemi sulmues tjetër me karakter golashënuesi”, tha Alliu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online