Valon Ahmedi nuk po kalon një moment të mirë në Slloveni, te Maribori, teksa në ndeshjet e fundit nuk është marrë aspak në konsideratë. Mesfushori i Shqipërisë U-21 dhe në xhiron e kombëtares së madhe të Panuçit, kohët e fundit, është kontaktuar edhe nga Partizani, që dëshiron të përsërisë operacionin “Hebaj”, pra në huazim.
Por, deri tani, Maribori ende nuk ka dhënë dritën jeshile. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me futbollistin e lindur në Ohër, duke e pyetur në lidhje me situatën: “Po, e vërtetë që ka pasur interesim, por është agjenti ai që po merret me të ardhmen time. Unë po përpiqem të jap maksimumin në stërvitje te Maribori, që është edhe klubi im”.
Ahmedi, që vjet luajti 16 ndeshje dhe shënoi 1 gol, sivjet ende nuk ka zbritur në fushë në kampionat, duke u lënë në tribunë.
Për Ahmedin ky është sezoni i tretë me Mariborin, që tre vjet më parë e bleu nga Celje, që “e peshkoi” në Itali, te Sudtiroli.
Ahmedi ka debutuar edhe me Shqipërinë e Panuçit, duke u aktivizuar në dy ndeshje.