Ekskluzive/ “E ardhmja flet shqip, nuk është rastësi”! Prenga flet për Laçin: Në Rumani e tepruan, do jenë kockë e fortë për Anderleht

Nga Klaudio Ndreca

Cilët janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë? Me siguri që nuk bëhet fjalë për njerëzit e vendosur me post nga Qeveritë Shqiptare, të cilado kohe dhe krahu. Gjithmonë vendi ynë është prezantuar me imazhin e duhur në Europë vetëm falë sportit. Padyshim që ngritja më e madhe e vendit tonë sesi u pasqyrua ishte në kohën e Europianit të Francës. Por fatmirësisht nuk kanë të ndalur sukseset në këtë drejtim dhe këtë herë kërkohet që ekipet shqiptare të arrijnë kulmin e tyre për të mbërritur në grupet e kompeticioneve europiane.

“Sport Ekspres” ka intervistuar Besnik Prengën përpara ndeshjeve që do të luhen nga Teuta dhe Laçi. Si një njohës i mirë i kurbinasve, më veçanërisht kemi folur me të për rezultatet e kësaj skuadre. Nga ana tjetër duhet të vlerësojmë faktin se falë Prengës edhe lojtarët shqiptarë e kanë më të lehtë “trampolinën” nga Shqipëria në futbollin e Kroacisë. Gjithmonë aty për të dhënë një dorë në rritjen e talentit dhe për të shfrytëzuar mundësinë në të mirën e Lokomotivës së Zagrebit, por edhe të shqiptarë. Konkluzioni i arritur nga Besnik Prenga të ngroh jo pak: “Jam i sigurt, e ardhmja flet shqip”.

Paraqitja e ekipeve shqiptare në Europë. Për herë të dytë radhazi shohim sukseset e arritura. Si i ke vlerësuar?

Paraqitja e ekipeve shqiptare është nga më të mirat në këto vitet e fundit. Kampionati shqiptar është rritur shumë në kohët e fundit. Unë mendoj se do ta shohim edhe vitin tjetër të njëjtën gjë.

Pra nuk janë rastësore apo jo?

Jo, jo! Nuk është rastësi. Do të kenë vazhdimësi. Jam i lumtur më veçanërisht për Laçin që ka rezultate të shkëlqyera. Duke parë punën e ekipeve shoh shumë ndryshime në organizimin e tyre dhe mënyrën e lojës. Kam shumë besim se e ardhmja flet shqip.

Ndërkohë në Rumani e kanë cilësuar si “fundi i botës” që Craiova eliminohet nga Laçi. Pra nuk e llogarisnin aspak dështimin me një ekip shqiptar. E ekzagjeruan pak?

Po kështu mendoj edhe unë. Kishte ekzagjerim nga Craiova pasi edhe futbolli rumun nuk është siç ka qenë. Duke parë formacionin me 9 lojtarë që ishin vetëm rumun, dallohet qartë se ka rënë fuqia e tyre blerëse. Përveç Cluj, ekipet shqiptare mund të ndeshen me të gjitha të tjerat në Rumani.

E di më së miri mënyrën sesi procedohet puna te Laçi. Si do ta vlerësoje presidentin dhe gjithë hallkën sesi funksionojnë gjërat?

Unë e kam pritur këtë sukses nga Laçi pasi e njoh mirë sesi funksionon puna atje dhe e di organizimin e klubit. Lojtarët japin maksimumin dhe rezultatet do të vijnë. Presidenti? Punë e lodhur dhe gati perfeksionist.

Tani vjen ndeshja me Anderlehtin. Do të jetë e mbyllur si histori apo ka edhe Laçi për të thënë fjalën e tij?

Shiko, kjo është hera e parë që Laçi po luan me një ekip më të fortë se vetja. Është favorit Anderlehti në këtë ndeshje. Por Laçi nuk ka vetëm president fantastik, por edhe një trajner që ju e shihni sesi po i merr maksimumin lojtarëve. Historia e ndeshjes? Mund të them se kam siguri se Laçi do të jetë “kockë e fortë”.

Gjithmonë në “Sport Ekspes” kemi diskutuar edhe pjesën e mentalitetit. Nëse në Kosovë ka optimizëm të madh te trajnerët, lojtarët dhe mediat, kur ndeshen me ekipe të mëdha, në Shqipëri diskutohet ende inferioriteti. Ju si e shikoni?

Nga viti në vit mendoj se po sheshohet edhe kjo pjesë e mentalitetit. Duke parë intervistat e trajnerit të Laçit dhe të tjerëve, nuk e kam vënë re në mënyrën sesi e përgatisin ndeshjen. Nuk besoj se ka më diskutime të tipit: “Sa gola do të hamë”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online