Ekskluzive/ “Craiova sheh ëndrra me shqiptarë”! I shënoi me roveshatë, Papa: Më thanë se erdhi Ibrahimoviç! Vëlla, e njohin Hamdi Salihin këta?

Nga Klaudio Ndreca

Enriko Papa dhe fjala super gol janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Te Botoshani kanë parë mënyra të ndryshme sesi realizohet goli i bukur nëpërmjet futbollistit shqiptar. Predha nga distanca apo edhe me roveshatë, me këtë të fundit që u shënua ndaj Craiova-s. Ekipi që u eliminua nga Laçi në “Conference League” mori tronditjen tjetër nga një lojtar shqiptar që shfrenoi disi fantazinë, Enriko Papa.

Te ekipi rumun konsiderohet si i paprekshëm dhe është më i paguari ndër të gjithë futbollistët. Kjo tregon qartësisht vlerësimin e madh që kanë drejtuesit për të. Misioni i vetëm që nuk është përmbushur ende është ftesa e Kombëtares. Me siguri që një mundësi duhej të kishte mbërritur prej kohësh, por nuk ka problem! Papa shprehet se do të jetë gjithmonë në pritje dhe garanton se do të jap edhe shpirtin kur të mbajë veshur fanellën kuqezi.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, 28-vjeçari që e ka nisur nga nivelet më të ulëta në Shqipëri dhe tanimë e sheh veten si protagonist në Rumani, ka treguar pikësëpari arsyen kryesore se përse në këtë vend cilësohej si “fundi i botës” humbja nga Laçi. Për të vazhduar edhe me disa detaje interesante për mënyrën sesi u komentua goli i fundit i tij me roveshatë, ku ngacmimet erdhën edhe nga lojtari tjetër te Botosani, Fili. Britmat “erdhi Zlatan Ibrahimoviç” nuk munguan, pasi me siguri që nuk e kanë parë Hamdi Salihin.

Goli i parë vjen në këtë sezon me roveshatë. I ke provuar realizime të tilla edhe në stërvitje apo ishte intuitë?

I kam provuar edhe në stërvitje, por është edhe intuitë një gol i tillë. Është shumë e vështirë që të realizohet. Prandaj jam shumë i lumtur pasi ekipi ynë ka dy fitore në historinë e tij me Craiovën në fushën e tyre. Tej të dyja kam shënuar unë, vjet shënova me finte, këtë herë me roveshatë.

Cili ishte komplimenti më i veçantë që ke marrë nga trajneri apo shokët e skuadrës mbi realizimin?

Komplimentet dhe ngacmimet kanë qenë të shumtë. Një ngacmim e kam pasur nga Fili dhe nga Croitoru, djali i trajnerit. Po bërtisnin: “Erdhi Ibrahimoviç në Botosan”. Unë i kam thënë Fili nga ana tjetër: “E njohin Hamdi Salihin këta vëlla?”. (qesh)

Po nga pjesëtarë të tjerë të klubit, ka pasur komente mbi këtë shënim të veçantë?

Siç thashë edhe më parë, fitoren vjet e kam dhënë me finte, këtë herë me roveshatë. Komplimenti që më bëri të ndihem krenar për golin më erdhi nga Kage, ish-lojtari i Gent, Adanaspor, Anderlecht. Më tha se kishte 400 ndeshje të zhvilluara, madje edhe në Champions League, por nuk e kishte parë kurrë nga afër një gol të tillë dhe ka vendosur duart në kokë.

Ke pasur oferta në këtë merkato dhe cili është kampionati që do të doje të luaje?

Oferta nuk më kanë munguar, kanë qenë të shumtë si nga Turqia, Rusia, Polonia, Hungaria, Egjipti. Kanë qenë oferta konkrete. Problemi është se unë kam edhe një vit kontratë. Pas krizës së madhe, skuadrat nuk duan të paguajnë kartonin dhe preferojnë futbollistët e lirë dhe pa ekip. Për më tepër që ekipi dhe trajneri nuk më kanë lënë që të largohem sepse mendojnë se fitojnë më shumë me mua këtu sesa pa mua. Siç dihet skuadrat fitojnë shumë të ardhura nga televizionet në Rumani, rreth 2 milionë euro për çdo ekip sa fillon kampionati. Pastaj për çdo pozicion më lartë në tabelë janë 250 mijë euro plus. Vendosa të qëndroj dhe ndihem i vlerësuar, më kanë ofruar edhe një kontratë të majme dhe jam më i paguari në ekip.

Cili është ndryshimi i kampionateve mes Rumanisë dhe Shqipërisë? Humbja e Craiovas me Laçin u përjetua si fundi i botës dhe po diskutohet për një moment të errët në futbollin rumun.

Për ndryshimet kam folur edhe më parë. Kushtet janë shumë më të mira se në Shqipëri. Fushat e stërvitje, kushtet e riaftësimit me sauna, jakuzi, vitamina. Është diferencë e madhe, për më tepër që ka lojtarë që kanë luajtur më parë me ekipe si PSG, Juventus, Real Madrid. Pagesat janë shumë të larta, nuk krahasohen me Shqipërinë. Prandaj edhe humbja me Laçin quhet si moment i errët në futbollin rumun. Craiova e paguan një lojtar me 400 mijë euro në vit ose trajneri i ri Reghencampf që merr 600 mijë euro në vit. Buxheti është 20 herë më i madh se ekipet në Shqipëri. Për më tepër që shesin lojtarë në skuadra të mëdha. Cicaldeu u largua nga Craiova te Galatasaray për 6.5 milionë euro. Prandaj nuk ke se çfarë të krahasosh. Është normale që të jenë të mërzitur, por mua më është bërë shumë qejfi që Laçi i eliminoj se tregojnë vlerat e shqiptarëve.

Pas goditjes së dhënë nga Laçi vjen edhe super goli jot që vendos ndeshjen. Për disa kohë te Craiova do t’u dalin edhe në ëndërr shqiptarët apo jo?

(Qesh) Po kjo është e sigurt, do të kenë ëndrra me shqiptarë, është 100% e sigurt.

A është Kombëtarja si objektivi i vetëm i pa përmbushur për ty?

Kombëtarja nuk është vetëm objektiv, por ëndërr. Shpresoj dhe besoj se duhej të ishte realizuar deri tani me paraqitjet që kam bërë te Botosani. Por kjo përcaktohet nga njerëz të tjerë. Detyra ime është që të bëj mirë në skuadër dhe nëse më jepet mundësia të vesh fanellën e kombit tim, do të jap shpirtin për të. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *