Ekskluzive/ “Çdo top që kalon vijën është gol i bukur”! I shënoi Partizanit, Rudolf Turkaj e pranon: Tirana është një hap para të tjerëve për titull

Laçi është rikthyer në garën për Europën dhe vendet e para të renditjes në Superiore. Kurbinasit mund të quhen të transformuar pas fitores së fundit me përmbysje ndaj Partizanit në shifrat 1-2. Goli i barazimit erdhi nga ana e Rudolf Turkaj, që si të ishte një sulmues do të arrinte të mposhte të kuqtë.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Turkaj tregon se goli nuk i la ndonjë shije të veçantë pasi edhe Laçi është pjesë e ekipeve elitë të Superiores. Kur flitet për konkurrencën në luftën për titullin kampion, Tirana është një hap përpara.

“Goli ndaj Partizanit erdhi shumë shpejt nga momenti që u aktivizova në lojë dhe kishte shumë rëndësi për faktin që u vendos baraspesha në pjesën e parë. Mund të them se çdo top që kalon vijën fatale të portës është i bukur, pa marrë parasysh faktin se kush është rivali përballë. Tashmë edhe Laçi është në rangun e ekipeve të mëdha dhe nuk përbën ndonjë ndryshim se kujt i shënon, Tiranës, Partizanit apo ndonjë ekipi tjetër. Goli erdhi nga goditja standarte dhe mbrojtësit duhet të kenë arm.ë të fortë lojën në ajër.

Objektivi personal është të bëj sa më mirë këtë sezon në mënyrë që të ndihmoj Lacin në arritjen e objektivit. Jemi ekip i konsoliduar, por fillimi i keq i kampionatit ka bërë që këtë javë të ishim poshtë në renditje. Shumë shpejt them se do ta shohim Lacin që jemi mësuar të shohim këto vite, në vendet e para të renditjes. Titulli kampion? Ekipet nuk i shoh shumë diferenca me njëra-tjetrën duke parë që edhe vetë ngjeshjen në renditje. Mendoj se Tirana është një hap para ekipeve të tjera për vetë faktin që ka filluar të shkëputet pak në renditje”, tha Turkaj. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *