Nga Klaudio Ndreca
Vllaznia pritet që të bëjë një transferim të bujshëm në merkaton e janarit pasi drejtuesit kërkojnë që t’i përgjigjen rezultateve të ekipit. Pra nëse futbollistët aktual janë duke e mbajtur vendin e parë deri në këto momente, atëherë transferimi i një lojtari të kalibri të lartë do të afronte edhe më shumë titullin kampion.
I gjithi ky sukses do t’i jepte dyfish merita edhe të gjithë personave përgjegjës që kanë ardhur në këtë sezon të ri te Vllaznia dhe për këtë arsye kërkojnë që të mos presin më gjatë, por të bëjnë jehonën e madhe. Në “Sport Magazine” do të pohohej nga ana e Kosta Grillos se Alban Xhaferi ka kontaktuar personalisht me Bekim Balajn, duke i bërë një ofertë konkrete sulmuesit të Kombëtares. “Sport Ekspres” e ka kontaktuar menjëherë sponsorin e Vllaznisë që ka folur për herë të parë duke dhënë një përgjigje të shkurtër në lidhje me këtë temë.
“Ne jemi në negociata me shumë lojtarë për merkaton e janarit. Sigurisht që më duhet të them se kemi kontaktuar edhe Bekim Balajn. Por jemi ende në çështje diskutimesh dhe negociatash. Bekim Balajn e kam mik të vjetër dhe bëjmë biseda herë pas here. Këto janë diskutime të hapura. Ne kemi hyrë në merkato tani dhe do të shohim për më të mirën”, u shpreh shkurtimisht Xhaferi duke pohuar kontaktet me Bekim Balaj dhe duke ia lënë gjithçka kohës. /Sport Ekspres/