Nga Klaudio Ndreca
Futbollistët më të mirë dalin nga balta! Të gjithë kemi parë sesi shumë yje të futbollit botëror dhe legjenda që nuk do të harrohen, kanë ardhur nga vende të “dorës së tretë” dhe kanë kaluar fëmijëri në kushte ekstreme sa i përket mundësive financiare dhe plotësimeve të dëshirave. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se përse mbërrijnë aq larg, pasi shpeshherë zgjedhin që të kthejnë kokën mbrapa për të parë pikën se nga ia kanë nisur.
Arbi Laçi, si një njeri që nuhat gjithmonë mirë dhe mban në dorën skemën fituese, ka shkelur me këmbët e tij në Nigeri. Jo siç bëhet rëndomtë në Shqipëri, kur futbollistë nga këto vende merren vetëm duke vëzhguar disa video nga zyra e ngrohtë, për të mos thënë më keq…nga Youtube! Kështu Laçi po përzgjedh elementët më të mira nga turnetë që po organizohen në këtë vend, ndërsa disa prej këtyre lojtarëve do t’i shohim në Shqipëri në të ardhmen. Mjafton që t’ju kujtojmë se dy elemente prej tyre janë dërguar te Gent në Belgjikë dhe Vizela në elitën e Portugalisë.
Një sulmues do të vijë për pak ditë në Shqipëri dhe do t’i bashkohet Kukësit, ndërsa pritet që të jetë me shumë peshë në Superiore. Në intervistën që Arbi Laçi jep për “Sport Ekspres”, shprehet se ka zbuluar edhe një Kaleb Ekuban të dytë që na ka munguar më së shumti. Ndërkohë në projektin e ardhshëm, vetë ish-drejtori i Tiranës do të organizojë një turne në Nigeri me 8 akademitë më të mirë që gjendjen atje, ndërsa do të marrin pjesë dhe klube të rëndësishme në Europë.
“Zgjodha Nigerinë për disa arsye. Kam nisur një projekt që në mars të këtij viti dhe do ta zhvilloj sërish në vazhdim. “Diamond Sport Agency” është partneri im dhe së bashku me Cem Sagar e Florian Bibën synojmë të përzgjedhim lojtarë të talentuar në Nigeri dhe për t’i sjellë më pas në Europë. Dy futbollistët më të mirë të turneut në mars që ne përzgjodhëm kanë firmosur me Gent (Ismail Olaëale) në Belgjikë dhe Vizela (Etim Friday) në Superligën portugeze. Gjithashtu kemi firmosur me një sulmues që për pak ditë vjen në Shqipëri dhe do të jetë pjesë e Kukësit. Emrin nuk mundem ta zbuloj, por do të jetë i rëndësishëm në kampionatin shqiptar.
Kjo ishte hera tretë për mua në Afrikë ndërkohë që më parë, kam qenë në Gana si drejtor sportiv i Tiranës. Tani kam të tjera projekte. Pas disa muajsh, do të organizojmë një tjetër turne, me 8 akademitë më të mira në Nigeri, projekt tek i cili së bashku me nje biznesmen nga Shqipëria synoj te futem si investitor dhe jo vetëm përzgjedhës, pra do të jem unë ai që do të organizoj turneun atje. Klubet në Shqiperi hezitojnë të dërgojnë skaut apo dhe vetë drejtuesit sportiv, ndoshta nga mungesa e informacionit apo nga arsye të tjera. Për mua gabojnë sepse kjo është një praktikë e sukseshme e klubeve të zhvilluara në Europë që kanë marrë jo vetëm rezultate sportive nga tregu afrikan, por dhe shumë rezultat financiar pozitiv prej tyre.
Këtë rradhë qëndrova 8 ditë ne Abuja, kryeqytetin e Nigerisë dhe kam zgjedhur 4 futbollistë me të cilët kam nënshkruar marrëveshje përfaqësimi disa vjecare. Besoj që kam gjetur një xhevahir, sulmues 18 vjec që do të bëhet një emër i madh në një të ardhme të afërt. U përzgjodh lojtari i turneut, shënoi 5 gola në 4 takime dhe kam parë tek ai një potencial të jashtëzakonshëm që me punë dhe kohë do të bëhet një sulmues i madh. Quhet Christian Maduka dhe do të jetë një nga emrat që do të propozoj tek dy klube në Shqipëri. Më ngjason me Ekubanin e Partizanit për nga potenciali.
Në projektin e ardhshëm, aty ku planifikoj të investoj financiarisht në turneun që do të zhvillojmë me “Diamond Sport”, vec 8 akademive më të mira në Nigeri do të marrin pjesë disa klube të rëndësishme në Europë. Besoj që do të kem me vete edhe dy drejtorë sportiv nga Shqipëria që këtë rradhë kanë shprehur interesim për të ardhur.
Besoj që ka ardhur momenti që klubet në Shqipëri të ndërtojnë një sektor skautimi dhe këtu nuk kam parasysh vetëm përzgjedhjen në tregun afrikan, por edhe në rajon apo Amerikën e Jugut, aty ku financiarisht mundemi të perzgjedhim dhe marrim më pas këtu”, tha Laçi. /Sport Ekspres/
Christian Maduka
Etim Friday, firmosi me Vizelën
Ismael Olawale, Gent