Mbrëmjen e kaluar, u mbyll përfundimisht faza e grupeve të Europa League. Një mbrëmje, që prodhoi jo pak surpriza, siç ishte eliminimi i ekipit të Milanit, i cili pësoi një disfatë shokuese në Greqi ndaj Olimpiakosit. Gjithsesi, përveç surprizave të hidhura, kjo fazë ka dhuruar dhe surpriza të bukura, siç është ekipi i Ajntrahtit të Frankfurtit.
Gjermanët u vendosën në një grup mjaft të vështirë, teksa sfidonin Olimpikun e Marsejës, të cilët vinin nën petkun e finalistes së sezonit të shkuar dhe Lacion, një ekip, ndër më të mirët në Europa League. Gjithashtu, pjesë e grupit ishte dhe ekipi qipriot i Apollonit të Limasolit.
Grup mjaft i vështirë për ekipin gjerman, pasi favoritë për të kaluar më tej shiheshin Marseja dhe Lacio. Tashmë, kur çdo gjë është mbyllur situata në grup është e tillë: Frankfurt udhëheqës i grupit, për më tepër me pikë të plota. Gjashtë ndeshje, gjashtë fitore, për ekipin gjerman dhe një rekord absolut. Ajntrahti kështu, bëhet ekipi i parë gjerman në Europa League, që arrin të marrë pikë të plota në fazën e grupeve.